Dejvid Kapllani është zyrtarisht lojtar i Teutës. Sulmuesi i shpallur kampion me durrsakët në vitin 2021 është rikthyer. Njoftimi i Teutës:“Klubi i Futbollit Teuta njofton afrimin e fundit të merkatos së janarit, duke rikthyer në shtëpi sulmuesin Dejvid Kapllani! 22-vjeçari do të jetë zyrtarisht futbollisti më i ri i Teutës, duke u rikthyer aty ku hodhi hapat e parë si futbollist. Klubi i uron mirëseardhje Kapllanit dhe sa më shumë suksese me fanellën blu!”. Durrsaku ka lënë Besën e Pejës për t’u kthyer në shtëpi.
Ndërkohë Antonio Marku i ka dhënë lamtumirën skuadrës së Teutës. Mbrojtësi shkodran, i cili ishte pjesë e formacionit titullar të skuadrës durrsake në ndeshjen kundër Vllaznisë, pas ndeshjes duket se ka gjetur akordin për prishjen ne marrëveshje të kontratës. Mbrojtësi, i cili luajti pjesën e parë të sfidës dhe pastaj u zëvendësua nga trajneri Devolli, ishte afruar gjatë verës te durrsakët, pas disa viteve të kaluara në futbollin kosovar. Por duket se ai ka bërë pikërisht prapakthehu atje. Bëhet e ditur se Marku ka gjetur akordin me Drenicën, ekip me të cilin ka luajtur edhe në të kaluarën, duke u transferuar në radhët e klubit që bën pjesë në kategorinë e dytë në Kosovë.