Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar “Sendet”. Arrestohet në flagrancë 40-vjeçari, i cili vidhte në mënyrë të përsëritur, sende personale dhe para, në automjetet e shtetasve të ndryshëm.

Zbardhen 5 vjedhje të kryera nga ky shtetas, si dhe vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer prej tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve proceduralo-hetimore të kryera menjëherë pas denoncimeve të marra për raste vjedhjesh të sendeve dhe parave, në automjetet e shtetasve të ndryshëm, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sendet”, si rezultat i të cilit është arrestuar në flagrancë shtetasi:

-R. D., 40 vjeç, banues në Durrës.

40-vjeçari, gjatë muajit mars dhe ditëve të para të muajit prill, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, pasi ka thyer xhamat e 5 automjeteve të ndryshme, ka vjedhur sende personale, laptop dhe para, që kanë qenë në brendësi të tyre.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një biçikletë e dyshuar e vjedhur, si dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura në këto automjete.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.