Aktori Timothée Chalamet dhe Selena Gomez do të bashkëpunojnë për herë të parë në një projekt kinematografik, duke qenë protagonistët kryesorë të filmit të animuar Not Alone, prodhim i studios së njohur “Illumination”, e cila qëndron pas suksesëve botërore si Despicable Me dhe The Super Mario Bros Movie.

Ky projekt shënon gjithashtu debutimin e Timothée Chalamet në botën e animacionit, ku ai do të huazojë zërin e Joe-s, një mekanik raketash introvert që jeton një jetë të qetë dhe të izoluar. Ndërkohë, Selena Gomez do të interpretojë Fran-in, një astrobotaniste brilante e angazhuar në krijimin e raketës së parë në botë me karburant bimor.

Sipas përshkrimit zyrtar ata do të realizojnë së bashku lëshimin e një rakete revolucionare, por shumë shpejt lind një tërheqje e veçantë mes tyre. Gjërat bëhen edhe më të ndërlikuara kur tre alienë të vegjël, të çrregullt por tepër të adhurueshëm, strehohen në shtëpinë e Joe-s, duke sjellë kaos dhe emocione të papritura në zhvillimin e ngjarjeve.