Me 37 mandate në lojë dhe me një elektorat më të ri e më pak të varur nga pushteti, Tirana shihet si qarku vendimtar për formimin e maxhorancës pas zgjedhjeve të 11 majit. Plot pesë apo gjashtë parti të vogla shpresojnë të përfitojnë mandate në këtë qark, duke sfiduar dominimin tradicional të dy partive të mëdha, PS dhe PD.

Në tri dekadat e fundit, historia politike e vendit është shkruar shpesh nga Tirana. Që nga viti 1991, kur një lagje e kryeqytetit rrëzoi simbolikisht regjimin komunist përmes votës, te fitorja e PD në 2005 dhe ajo e PS në 2013, Tirana ka përcaktuar balancat politike në vend. Në vitin 2013, vota e kryeqytetasve i dha koalicionit të majtë 19 mandate, duke vendosur fitoren.

Këtë vit, qytetarët e Tiranës do të votojnë jo vetëm midis PS dhe PD, por edhe për alternativa të tjera si Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe Mundësia, që synojnë të ndryshojnë rrënjësisht sistemin politik, të thyejnë duopolin PD-PS dhe të hapin rrugën për zgjedhje të parakohshme.

Historiku i mandateve në Tiranë tregon një tablo të luhatshme: në vitin 2009 PD fitoi me një diferencë të ngushtë ndaj PS-së, ndërsa në 2013 të majtët morën 19 mandate. Në 2017, PS siguroi 18 mandate pas një rënie të ndjeshme të votave për PD. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte më e larta në vend dhe PS ruajti sërish 18 mandate, me ndihmën e aleatëve si Ornaldo Rakipi dhe PSD e Tom Doshit.

Sot, elektorati gri në Tiranë përllogaritet të jetë rreth 70 mijë votues – vota të mjaftueshme për të ndikuar në ndarjen e të paktën pesë mandateve. Kjo kategori përbën një potencial të madh për partitë e reja që kërkojnë të thyejnë rendin politik të vendosur.

Të dhënat nga Censi i fundit tregojnë se popullsia rezidente në Shqipëri është 2.4 milionë banorë, me rreth 1.4 milionë pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të 2023, që përkthehet në një pjesëmarrje reale prej 72%. Në zgjedhjet e 2021 u regjistruan 1.66 milionë vota, që do të thotë pjesëmarrje rreth 85% në raport me popullsinë e pranishme.

Në Qarkun Tiranë, në vitin 2021 u hodhën 485 mijë vota, ndërsa këtë vit pritet rritje për shkak të përfshirjes së emigrantëve – 52 mijë prej të cilëve kanë kërkuar të votojnë për këtë qark.

Maxhoranca në Kuvend, në kushtet e sistemit proporcional me shpërndarje rajonale, mund të përcaktohet nga vetëm tre apo katër mandate. Me dy partitë e mëdha të përballura me konsum të lartë politik dhe akuza për korrupsion, zgjedhjet e 11 majit mund të hapin rrugë për një konfigurim të ri parlamentar.

Nëse partitë e vogla arrijnë të fitojnë mandate në Tiranë, ato kanë paralajmëruar se nuk do të bashkëpunojnë me PS apo PD për të formuar qeveri, duke i dhënë vendit mundësinë për zgjedhje të reja, ku votuesit të kenë më shumë opsione dhe më pak shpresa të zhgënjyera.

Qarku i Tiranës përfshin zonat nga bregdeti i Kavajës dhe Rrogozhinës deri në Malin me Gropa. Kjo zonë përmban pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit, që nga turizmi, tregtia, ndërtimi deri te arsimi. Sipas Censit të 2023, rreth 759 mijë banorë jetojnë në këtë qark – ose 31% e popullsisë kombëtare. Megjithëse Tirana urbane ka pësuar rënie, periferitë si Kashari, Farka dhe Dajti janë në rritje të shpejtë. Ndërkohë, zonat rurale dhe bashkitë si Kamza, Kavaja dhe Vora kanë shënuar rënie të ndjeshme.