Një dekadë në historikun e një shkolle nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Ato mjaftojnë për të hedhur bazat për mirëarsimimin e brezave të rinj dhe për të krijuar profilin e një institucioni arsimor serioz e me staf të përkushtuar.

Këtë më së miri e vërteton shkolla jo publike “Top School”, e cila pasditen e së hënës festoi 10-vjetorin e themelimit të saj.

Me rreth 300 nxënës në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm, stafin e përgatitur dhe ambientet bashkëkohore, “Top school” është një nga institucionet arsimore që ka bërë diferencën.

“”Top School” është një mjedis i shëndetshëm dhe i mbrojtur edukimi, ku nxënësit arrijnë standarte dhe përgatiten për përballjen me sfidat e së ardhmes, ku përkrah me dijen kultivojnë ndërgjegjen sociale dhe përgjegjësinë qytetare”,- tha Yllka Dizdari, një nga bashkëthemelueset e kësaj shkolle.

Për Hazbi Likën, drejtorin e DRAP Durrës, një nga arritjet më të mëdha të “Top school” është stafi pedagogjik që punon në këtë shkollë.

“Shkolla “Top school” ka ngritur dhe ka dizenjuar rrugën e vet në mjedisin arsimor të qytetit të Durrësit. Ajo ka krijuar traditën e vet, ka ngritur profilin arsimor pedagogjik dhe po ndërton çdo ditë e më shumë personalitetin akademik e shkencor. Stafi që e drejton është një staf mjaft i kualifikuar dhe i përkushtuar, profesionalisht i aftë të punojë çdo ditë për mirëarsimimin e brezit të ri”.

Gjatë viteve të ekzistencës së saj, “Top school” është shndërruar në një nga shkollat më të mira të Durrësit dhe këtë e theksoi gjatë fjalës së tij, prefekti i qarkut Emiljan Jani.

“Shkolla “Top school” është shndërruar vit pas viti në një nga shkollat elitare të qytetit të Durrësit, ku gërshetimi i njohurive të reja midis teorisë, praktikës dhe punës laboratorike ka bërë që nxënësit e saj të arrijnë rezultate shumë të larta në mësime dhe shpesh të shpallen fitues në olimpiada kombëtare”.

Me rastin e 10-vjetorit të themelimit, nxënësit e kësaj shkolle kishin organizuar një program të pasur artistik, i cili u ndoq me mjaft interes në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

M.B.