Nga BUJAR QESJA

Hulumtimi nuk soset, teksa vijon të përfshijë qeliza të ndërtimit të qytetarisë durrsake. Shpesh e lakoj këtë term, apo këtë fjalë. Dhe jo pa qëllim. Unë jam një, jemi edhe më shumë që përpunojmë fjalën dhe mendimin. Dhe tentojmë të godasim në një shenjë, apo në një objektiv. Vlerat e krijuara nga shoqëria durrsake, formatuar dhe blatuar periodikisht duhen mbrojtuar, por edhe përhapur. Të mësohen nga opinioni dhe kjo t’i lartësoje dhe t’i bëj krenar. Kemi shumë tradita, thuajse në çdo fushë. Por t’i zbulojmë dhe t’ua ofrojmë tanëve, por edhe ato që s’janë pranë nesh, po nuk e di se ku jashtë apo brenda vëndit.

Truri është në lëvizje dhe rrit sipërfaqen e ndjeshmërisë. U ndala dhe u fokusova tek një dyshe, sa e veçantë aq edhe interesante. Gjërat e thjeshta janë të bukura. Modestia kur çfaqet natyrshëm, krijon efekt dhe penën e gazetarit e tundon, e cila të duket si një barominë, që kërkon të marrë mineralin e çmuar në minierën e jetës. Dhe kështu ndodhi në rastin e Rahman Morinës dhe Fatbardha Dervishit.

Kosovari është fëmija i tretë i prindërve Zenel dhe Mihane Morina. Zeneli nga Drenica martire, e Mihania nga Gilani. Në vitin 1924 erdhën në Durrës dhe këtu me 5 korrik të vitit 1947 lindën Rahman Morinën. Në konsultën e bërë për prejardhjen e emrit Rahman, më befasoi argumenti. Rahman është emër që e përdor vetëm Zoti, që ka kuptim: mëshirues në gjithpërfshirje.

Dhe ky Rahman Morina, në verën e vitit 1976, lidhi jetën me 24 vjeçaren Fatbardha Dervishi. Mëshiruesi Rahman, me Fatbardhën (Fatin e Bardhë), ndërtuan atë jetë që ishte një bardhësi dhe çiltërsi prekëse, njerëzore, më shumë se ideale.

Përqendrohem. Ndaloj paksa lapsin. Përpiqem të ngacmoj fantazinë. I njoh që të dy. Rahmanin e kam patur mik, e Fatbardhën mikeshë. Që të dy vrapojnë në këtë mëndjen time, duke rritur fuqinë e përfytyrimit. Që të dy mjeshtra në atletikë, mjeshtër të vrapimit. E kjo i jep udhë arsyetimit, që jeta e tyre fluturone me hapin e fuqishëm, ishte në lëvizje, në një lloj sinkroni që ia ngrinte autoritetin dhe prestigjin çiftit Rahman dhe Fatbardha Morina.

Në vitet 60-të dhe 70-të, Durrësi të thyente brinjët në atletikë. Dominonte. Kishte firmën dhe vulën e përparimit. Kishte, e çfarë nuk kishte. Kishte kopshtin e lulëzuar të trajnimit, ku bahçevanë profesionistë të tij, hidhnin farën dhe korrnin frutet më cilësore, duke “prodhuar” atletë dhe atlete të nivelit. Ylli i atletikës Rifat Kazazi, Rufi ynë i madhërishëm, Idriz Çinari, Iliaz Elezi, Frederik Gjergo, Shefqet Ferri, Andrea Stasi, Halit Dapi kishin vënë bast për ardhmërinë e atletikës së fuqishme durrsake, e cila po betonizohej nga arritjet dhe zhvillimi.

Bardha një grua shumë e fortë, optmiste në sfondin e një jete plot sakrifica dhe të papritura, tregon për të kaluarën, por edhe për të sotmen. Vetëm 12 vjeçare, ajo nuk kapej nga shoqet. Kjo e befasoi trajnerin Andrea Stasi. Bëri çmos që kjo Bardhë, t’ia zbardhte faqen atletikës së femrave. Dhe kjo e gëzoi pa masë edhe mësuesen e saj të fizkulturës, të mirën dhe të paharruarën Shpresa Rexha.

Atletja e brishtë Fatbardha Dervishi, një ndër pesë fëmijët e prindërve Aliut dhe Safos, punëtotë të spikatur në fabrikën e cigareve dhe ndërmarrjen tregtare të ushqimit social, rritej dhe formohej dita ditës. Ajo ishte një plus e grupit të vajzave të “Lokomotivës”, që dominonte në atletikën shqiptare.

E kam njohur dhe e kam prekur mjedisin magjik që zotëronte në ekipet e atletikës së Durrësit, ku punohej me shumë pasion dhe me plane pespektive. Mos të lodhemi kot, të rikrijojmë atë atmosferë të jashtëzakonshme që zotëronte. Së bashku trajnerë dhe atletë, specialistë dhe drejtues të klubit, mësues të fizkulturës dhe drejtues të shkollave. Bashkëpunimi ishte i detajuar dhe mjaft i organizuar. Nga këtu kupton, pse ishte i fortë Durrësi në atletikë.

12 vjeçarja Fatbardha Dervishi, vendin e parë që zuri në 100 metra, do ta mbante për shumë e shumë vite, derisa të largohej nga mbretëresha e sporteve. Dhe do të largohej me një autoritet të pazakontë. Me shume nderime, me shumë emër, me një respekt që edhe sot mbetet pikant dhe i pranishëm. Nga të rejat me kujtimet më prekshme për mësuesit e parë të trajnimit Shefqet Ferri dhe Andrea Stasi, kaloi me të rriturat, ku u stërvit fillimisht nga Frederik Gjergo, e më pas e mori një tjetër usta, i mirnjohuri Halit Dapi. Shkallët e mjeshtrisë ngjiteshin pa u ndalur, ashtu si vetë rekordet kombëtare që përmirësonte.

Bardha, që e mbuloi me bardhësi jetën e saj sportive, vraponte në distancat e 100, 200 dhe 400 metrave. E para dhe gjithë kohën ndër më të mirat. I bujshëm mbetet thyerja e rekordit kombëtar në vrapimin e 400 metrave, që mbahej nga e famshmja e “Vllaznisë” Adile Dani. Potent që trondiste tokën, mbetet hapi i Dervishit edhe në sfafetën 4×100 m dhe 4×400 metra, ku vendi i parë ishte i sigurtë. Karierë, peshë përgjegjësie dhe kurdoherë faqebardhë kjo Bardha e jonë.

Ekipi i atletikës durrsake për femra, ishte një arritje më vete. Djersa derdhej lumë për të ruajtur mrekullinë e krijuar. “Fëmija” atletikë, kishte prindër të magjishëm, që kujdeseshin për mirërritjen e saj. Ndiqni emrat dhe do të kuptoni se në çfarë majash lartësohej atletika e femrave. Pina Dhamo kampione absolute në hedhjen e gjyles dhe të diskut. Elizabeta Muço magji e veçantë e atletikës, ishte abonuar me vendin e parë në vrapimin e 800 metrave.

Fatbardha Dervishi kishte kontratë me vendin e parë në distancat 10, 200 dhe 400 metra. Për të ardhur tek “Mjeshtria e Madhe”, e pakapshmja e vrapimit të 3000 metrave Marinda Preka, e për të vazhduar me kampione të tjera në garat e distancave të mesme si Nermin Mullaj, Pranvera Durmishi e Zamira Koçi.

-Megjithëse jo shumë në numur krahasuar me ekipet e Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, kujton Bardha, “Lokomotiva” e jonë ishte e pakapshme, gjithnjë e para, ku titujt kampionë ishin pambarim.

Stërvitje, gara, kampionate, kupa e veprimtari të ndryshme. Takime lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Dhe kudo dallohej ajo, e mira, e bukura, e stolisura me cilësi të rralla njerëzore Fatbardha Dervishi. Në kufirin e 20 viteve jetë, Bardha grubullohet në ekipin kombëtar të Shqipërisë. Trajnimi kaloi në përmasa edhe më profesioniste. Të mirnjohurit trajnerë të saj Lutfi Guri dhe Besim Qyqja. Performanca sportive preku titullin e lartë “Mjeshtre e Sportit” dhe “Nderi i Atletikës Shqiptare”.

Hapi i saj kishte forcë, kishte zemër dhe dashuri për qytetin e lindjes. Edhe sot kur shikon pistën e stadiumit “Niko Dovana” përjeton vrapimin potent, të sigurtë e prej fitimtarësh të Fatbardha Dervishit. Për atë çka i dha Durrësit, për shumë vite ajo renditej në sportistet më të mira të qytetit dhe mbetet edhe sot e kësaj dite nga talentet e ekipit të “Lokomotivës”

Në pistën e stadiumit, ritmi i lartë i vrapimit dha një tjetër ngacmim, dha një ndjenjë të zakonshme njerëzore. Një djalë i brishtë, gati i njëjti me fizikun e saj, po i futej në zemër. Shikimet u bënë më të dëndura dhe zemrat kishin rritur pulsimin. Dashuri e pastër, si pastërtia e shpirtërave të tyre kishte lindur. Vrapim dhe simpati. Shpirtërat u vlonin nga ëndërra të bukura, që do të vendoseshin si gjerdan i artë në jetën e tyre. Edhe ky kampion në vrapime, por në garat e mesme dhe të thellësisë.

Trupi i lehtë, por i lidhur i krijonte favore kosovarit, të ruante një hap tërheqës në vrapim. Këtë e kishte pikasur mirë profesionisti i trajnimit Iliaz Elezi tashmë 93 vjeçar. Rahman Morina e nisi me “Lokomotivën”, e vazhdoi me “Partizanin” ku ra në duart e ustait Thoedhos Duro, kaloi tek “Dinamo” , e trajneri Zef Hila bëri festë atë ditë dhe e mbyll vrapimin me rikthimin në Durrës. Preferenca e tij garat e 3000 dhe 5000 metrave me dhe pa pengesa. Iliaz Elezit i tha mirmëngjes kur e nisi vrapimin dhe po me Iliaz Elezin e përfundoi, kur i tha për herë të fundit natën e mirë. Edhe Morina kampion dhe fiksohej gjithnjë në tri vëndet e para. Ushtroi disa vite detyrën e trajnerit, duke punuar me atletë të njohur si Eduart Salillari, kampionin e ecjes sportive Zyhdi Xheraj, Agim Taipi, Zenun Verboci etj.

Dhe ky Rahman Morina vraponte në dy korsi në atë të pistës dhe të dashurisë. Kështu edhe Bardha. Lidhja me unazë në vitin 1976, ndërmjet dy atletëve të “Lokomotivës” Rahman Morinës dhe Fatbardha Dervishit, ishte e gëzueshme dhe e bujshme. Durrësi bashkoi kosovarin Morina me sarandioten Dervishi. Sa fat për të dy që gjetën njëri tjetrin! Së bashku në sport, së bashku jashtë tij. Kudo së bashku deri në përjetësi. Rahman dhe Fatbardha Morina krijuan atë çift unikal, ku kujtohen me shumë mall nga bashkëqytetarët e tyre. E ëmbël si mjalti ishte lidhja e tyre, por e tillë mbeti edhe respekti, mirnjohja dhe zemërmadhësia që tregonin ndaj miqve e shokëve.

Vajza Gloria ishte lavdia e lidhjes së tyre dhe më pas Albani, u bënë katërshja e familjes së bukur, të familjes së thjeshtë por të hijshme Morina. Rahmani punonte në Uzinën Mekanike Bujqësore dhe Bardha në Uzinën e Plastikës. Dy punëtorë, shumë dashuri. Dy atletë, por shumë tituj. Me dy fëmijë si diej të vegjël, por që rrezatonin ndriçimin më të bukurin në botë. Familje simpatike dhe gjithnjë në lëvizje. Një jetë e modeste kjo e familjes Morina, por me shumë entuziazëm dhe kënaqësi. Ishte bukurie e një jete që ndërtohej me sakrifica dhe dëshirë, por me gëzime të pafund.

Morina u punësua më pas në Klubin sportiv “Lokomotiva”, atij klubi që i shërbeu me tërë fuqinë e fizikut të tij. Dhe Bardha, me kërkesa ndaj vetes, iu nënshtrua studimeve për në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës, punon si mësuese e fizkulturës në Gosë të Kavajës, më pas në shkollën e mesme të mjeshtrisë sportive “Bernardina Qerraxhia”, për ta ndalur vrapimin e mësimdhënies në gjimnazin e njohur “Gjergj Kastrioti”.

Dhe tek “Gjergji” Bardha Morina kishte kolegë dhe kolege të nderuara dhe të njohur si Alqi Gjika, Doreta Sheldia, Aida Bardhi, Vjollca Katunsi dhe Vangjush Karamitro. Përvoja dhe puna e saj aktive, u manifestua edhe në sukseset absolute të ekipit të vrapuesve të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

Lumturia familjare e çiftit Morina nuk ka të sosur. Kudo rrezatonin mirësi, shpërndanin miqësi të sinqertë dhe përbënin pse jo edhe një etalon të qytetarisë durrsake.

Me Rahmanin më lidh edhe një ndodhi në vitin për t’u harruar 1997. Në tërbimin civil të këtij viti, ndodhem në pallatin e sportit, se më kishin thënë që është bërë batërdia. Fillova të qaj si fëmijë, kur pashë që në koridore ishin hedhur, grisur, shqyer dokumenta dhe histori sportive. Sa vite ishte dashur të mblidheshin foto, biografi sportive individësh dhe degë të sporteve! Sa breza kishin punuar në to! Nejse kjo është temë tjetër për t’u prekur. Gjeta dy thasë plastmasi dhe me lot në sy, krejt i vetëm fillova të mbledh këto vlera, që është historia jonë e sporteve dhe drejtohem tek magazina e klubit, ku punonte mik im i paharruar Rahman Morina.

-Rahman, shoku im i mirë! Kaq munda të mbledh dhe i tregova dy thasët. Janë historia e jonë e sporteve. Një pjesë janë grisur dhe një ditë do të më duhet t’i ngjis. Vendosi në një vënd të sigurtë! Kur të qetësohet ky popull, do vi t’i marr.

Dhe e putha në ballë, si shprehje të një amaneti të rrallë.

Dhe pas kësaj, ndodhi gjëma tjetër. Ishte 13 maji i vitit 1998. Atleti i njohur dhe kuadri pikant i fizkulturës Eduart Salillari, ndodhej në magazinë dhe kishte leje për të marrë disa vegla gjimnastikore, që nuk i duheshin me klubit sportiv “Lokomotiva”. Me atë humorin e tij të veçantë, me atë lëng shpirtëror që veç shpirti i tij e shfaqte dhe teksa komunikonte me Salillarin, Rahman Morina ndjen shtrëngime në gjoks. Krejt papritur, ishte goditur nga një infarkt rebel i miokardit.

Aorta e zemrës së tij, të asaj zemre që kishte iventarizuar me mijra e mijra kilometra vrapime, nuk mbante më dhe ishte çarë. Gjaku i vraponte jashtë rrugëve të kalimit. Këto ishin minutat e fundit të Rahman Morinës, djalit me prindër nga Drenica dhe Gilani, bashkëshortit të Fatbardhës dhe babai i Glorias dhe Albanit. Përkimi vjen përsëri i hidhur për Bardhën. I jati Ali Dervishi, do të largohej nga jeta në moshën e të shoqit, kur ajo sa ishte ngjitur në të 11-tat.

Ikja e Rahman Morinës, shënoi edhe fundin e shpresës time për të marrë ato thasë të vlerave historike. Ajo histori është groposur nuk e di se ku, të zhdukur nga injorantë dhe xhahilë paidin dhe paiman. Unë dhe Rahman Morina mbetëm në besë të njëri tjetrit.

Shumë e vështirë mbeti për Bardhën jeta e vetme, pa Rahman Morinën në krah, këtë njeri që Zoti e kishe bërë vetëm për të qenë i qeshur dhe shumë i dashur. Bardha Morinës i duhej të “vraponte” tashmë vetëm në një korsi, atë të mbijetesës. Gloria ka krijuar familjen e saj dhe është me tre fëmijë, Eliotin 22 vjeç, Megin 18 vjeçe dhe Ergin 17 vjeç. Jeton e qetë në vëndin e qetësisë, në Gjenevë të Zvicrës. Ndërsa Albani ështa banor i qytetit italian të Milanos. Ka dy djem të bukur si drita, Joni 9 vjeçar dhe Eliori që i ka kaluar të pestat. Punon ndershëm si babai i tij, ndonëse e la në moshën 12 vjeçare.

Bardha Morina, me 15 shtator 2022 mbush të 70-tat, prej të cilave 24 vite pa Rahmanin, bashkshortin e saj të përmallshëm. Sado të donte që Rahman Morina të jetonte. Të shikonte Glorian dhe Albanin të rritur dhe mbi gjithçka mjaltin e mjaltit, 5 nipërit dhe mbesat e tij. Ato u rritën pa gjyshin, por dashuria e Bardhës për to është e dyfishtë, është edhe për Rahman Morinën, i cili mbetet kurdoherë në jetë në fantazinë e tyre.

Rahman dhe Fatbardha Morina! Çifti i përjetësisë sportive, të asaj përjetësie që u vesh me dashurinë më të bekuar, me respektin më të arrirë, me shpirtin dhe zemrën e pastër dhe të bardhë.