Skuadra e Teutës mbylli një sezon mes shumë oshilacioneve. “Djemtë e Detit”, nën drejtimin e trajnerit Beldar Hodo, arritën të renditeshin në vendin e gjashtë ku vetëm në javën e 35-të garantuan matematikisht qëndrimin në Superiore. Bledar Hodo, me plot gojën është “magjistari” që shpëtoi Teutën nga rënia, me 44 pikë të grumbulluara në përfundim të kampionatit. Mori drejtimin e Teutës në momentin më kritik të saj, në vendin e 9-të të tabelës së renditjes. Hodo jo vetëm që arriti të ringrinte këtë ekip nga fundi, por Teuta luftoi deri në fund për sukses. Teuta ishte skuadra më në formë në Kategorinë Superiore gjatë fazës së fundit.

Ekipi durrsak e nisi sezonin nën drejtimin e Martinit, por ai do të largohej për rezultate të dobëta. Pas tij, vetëm katër javë zgjati aventura e Devollit. E më pas vendin e tij e zuri Bledar Hodo, i cili brenda një periudhe ta shkurtër arriti që të merrte më të mirën ekipit, me 4 pikë në dy ndeshjet e para: fitore ndaj Tiranës dhe barazim me Egnatian. Ecuria deri në këtë fund të sezonit ka qenë shumë pozitive për ekipin bregdetar. “Strategu” durrsak arriti të merrte më të mirën nga futbollistët e tij, edhe pse situata ishte e vështirë dhe pikët mungonin. Puna e mirë në grup, mbrojtja e fortë, kualiteti në mesfushë apo shpërthimi i sulmueseve e kanë ndihmuar që të përjetojë një periudhë fantastike në karrierën e tij si trajner.

Në kampin durrsak pritet të zbarkojnë disa futbollistë, prej të cilëve tekniku do të zgjedhë elementët më premtues. Drejtuesit dhe teknikët rrespektivë në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të ndërtojnë skuadrat, për sezonin 2025-2026. Në kampin durrsak flitet se sezonin e ardhshëm do të ndërtohet një skuadër me perspektivë dhe konkurruese. Pritet që disa prej lojtarëve aktualë të skuadrës durrsake do të diskutojnë më klubin nëse do të jenë pjesë e saj dhe në sezonin e ardhshëm.

Te skuadra e Teutës priten jo shumë ndryshime sa i përket kontingjentit të lojtarëve. Disa lojtarëve u ka përfunduar kontrata që i mbante lidhur me skuadrën dhe presin të diskutojnë me presidentin për të mësuar të ardhmen e tyre, e cila mund të jetë tek Teuta, por edhe larg saj. Burime nga skuadra durrsake theksojnë se do të ketë disa lojtarë, të cilët për sezonin e ardhshëm nuk do të jenë pjesë e skuadrës së Teutës, por baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në repartet respektive.