Investimet e individëve në letrat e borxhit të qeverisë pësuan rënie të mëtejshme në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas statistikave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), investimet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve kishin vlerën e 9.4 miliardë lekëve, në rënie me afërsisht 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia ishte edhe më e lartë e shprehur në numër transaksionesh, që u tkurrën në 2884, 35% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia erdhi e gjitha në segmentin ku investimet e individëve janë më të mëdha, atë të bonove të thesarit.
Shifrat e AMF-së tregojnë se investimi në bono thesari ra në 6.9 miliardë lekë, 29% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024. Ndërsa vlera e blerjeve të obligacioneve në tregun primar u rrit lehtë 2.5 miliardë lekë, 2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e individëve në tituj janë tkurrur për të dytin vit radhazi, të ndikuara nga tendenca në rënie e yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar. Kjo rënie, me sa duket, i ka bërë më pak tërheqëse këto instrumente për individët. Gjatë gjithë tremujorit të parë, bonot 12-mujore të thesarit kanë qëndruar shumë afër nivelit të normës bazë të interesit, madje në momente të veçanta kanë zbritur edhe poshtë nivelit të normës bazë, ndërsa që bonot me maturim më të shkurtër se një vit po qëndrojnë vazhdimisht poshtë normës bazë të interesit.
Madje, yield-et më të ulëta kanë bërë që në tremujorin e parë individët të blejnë më pak bono në tregtimin dytësor, nga portofolat e bankave ose ndërmjetësve të tjerë financiare. Këto blerje pësuan rënie me pothuajse 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, në tremujorin e parë të vitit janë bizneset ato që kanë rritur ndjeshëm investimin në këto instrumente. Sipas shifrave të AMF-së, investimet e subjekteve juridike në tregun primar arritën në më shumë se 4.5 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej 973% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Aktualisht, janë 10 subjekte të licencuara nga AMF si ndërmjetëse për investimin në tituj, nga të cilat 9 janë banka tregtare. Megjithatë, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë./ Monitor