Një sfilatë origjinale me materiale të riciklueshme u zhvillua nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” në Durrës, duke dhënë mesazhin e një mjedisi të pastër.

Sfilata, pjesë e aktivitetit me temë “Unë ricikloj”, një nismë mjedisore që synon të motivojë komunitetin, bëri bashkë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një mjedis më të qëndrueshëm dhe me më pak mbeturina.

Drejtuesit e shkollës shpjeguan se synimi i këtij aktiviteti është të ofrojë një program edukativ për riciklimin, ku vetë nxënësit janë pjesëmarrës aktivë.

“Tema e projektit ndërlëndor, që ne zgjodhëm për këtë vit shkollor është “Unë ricikloj, riciklo dhe ti”. Tematika e riciklimit është një çështje shumë aktuale, ndaj së cilës të gjithë duhet të jeni të ndjeshëm, ndaj dhe ne, nëpërmjet këtij aktiviteti duam të përcjellim një mesazh shumë të rëndësishëm, në funksion të mbrojtjes së mjedisit”,- tha Blerta Maliqati, drejtoreshë e shkollës “Jusuf Puka”.

Mësues dhe nxënës të klasave nga e para deri në të nëntën ofruan modele konkrete të punimeve të tyre me materiale të riciklueshme, të paraqitura si një ekspozitë e hapur.

Shumë prej tyre krijuan veshje të bëra nga materiale të riciklueshme dhe interpretuan këngë dhe valle tradicionale.