Nga Gëzim Kabashi

Mbi 15 ura me masive gurësh janë ndërtuar vitet e fundit në bregdetin mes Malit të Robit dhe fshatit Qerret, e cila njihet prej kohësh si zona e fshatrave turistike pranë Kavajës.

Megjithëse, ende askush nuk di të thotë saktësisht se cili është funksioni i tyre, ndërtimi i urave me gurë brenda në det vijon pa ndërprerje dhe fenomeni ka përfshirë edhe plazhe të tjerë në jug dhe në veri të qytetit të Durrësit.

Tomorr Spahiu, inxhinjer specialist për ndërtimin e porteve, tha për BIRN, se këto pontile janë ngritur pa asnjë studim paraprak dhe sipas ndërtuesve, ato synojnë të shmangin rrezikun e erozionit detar.

Ing. Spahiu shton se urat prej gurësh të mëdhenj që nxirren nga guroret në qarkun e Durrësit, dhe që kanë një gjatësi deri në 50-60 metra janë ndërtuar vertikalisht me bregdetin, por mundësitë për ta ruajtur në mënyrë të pandryshuar raportin e detit me bregun janë shumë të vogla.

Sipas specialistit me përvojë, problematikat e erozionit në bregdetin tonë janë krijuar nga gërryerja pa kriter e lumenjve për nxjerrjen e inerteve me qëllim ndërtimi.

“Lumenjtë nuk sjellin më në bregdet aluvionet e zakonshme prej rëre apo gurësh,” thekson ing. Spahiu, sipas të cilit gjithçka është zëvëndësuar me mbeturina të çdo lloji, nga plastika deri te mbetjet urbane.

Kjo situatë e ka lehtësuar erozionin bregdetar në disa zona, duke i alarmuar dhe detyruar investitorët e fshatrave turistikë të kërkojnë zgjidhje afatgjata.

Në mjaft raste godinat e pushuesve janë ndërtuar jo larg detit dhe pontilet me gurë janë gjetur si një mburojë e bregut, i cili nuk mbahet më nga aluvionet e lumenjve si më parë.

“Në plazhin e Qerretit po ndërtonin edhe dy ura të tjera me gurë,”  tha Nexhmi Rruga nga Kavaja, i cili e vizitonte fshatin bregdetar për herë të parë pas shpërthimit të pademisë së COVID-19.

“Ato nuk përdoren as për turizëm apo për të ankoruar barkat,” u ankua ai, ndërsa shtoi “këta bëjnë çfarë të duan me bregdetin”.

“Unë nuk e di se si mund të hidhen gurë pa fund në det dhe askush nga shteti të mos lëvizë,” përfundoi Rruga.

Por, masivet gurore që krijojnë pontilet tashmë janë kthyer në një fenomen të zakonshëm thuajse në të gjithë bregdetin e Durrësit.

Arjan Mema ka gjetur pontile gurësh edhe në plazhet e Shën Pjetrit, 35 kilometra në veri të qytetit.

“Aty ku fillojnë komplekset turistike me emrin “Lura” ka të paktën 3-4 masive gurësh, që janë hedhur në det kohët e fundit”, tregon djaloshi nga Durrësi.

Pastaj shton se inerte dhe betone pa asnjë funksion gjen edhe në bregdetin e Currilave deri në plazhet e Kallmit.

E njejta gjendje edhe në plazhin më të hershëm të vendit.

Urat e plazhit tradicional në jug të Durrësit e kanë humbur pamjen e viteve 1970-1980.

“Përjashto një urë betoni në stacionin “Iliria”, e cila u kthye për shumë pak kohë në kinema verore, të tjerat nuk njihen më”, thotë Arjani.

Urat me qëllime turistike të viteve ‘80, që më parë shfrytëzoheshin si bare e restorante modeste, tashmë e kanë rritur disa herë sipërfaqen duke u mbathur me gurë dhe betone gjithfarësh.

“Ato duken si ishuj pa formë, ku janë instaluar kioska, lodra fëmijësh, kangjella metalike, etj, ndërsa uji i detit pranë tyre rrallë herë është I pastër”, shpreh mërzinë e tij qytetari nga Durrësi, që duket se i ka shëtitur të gjitha plazhet që shtrihen në territorin e bashkisë së Durrësit.

Sipas prof. Adem Hysenit urat e ngritura në bregdet i shkaktojnë një dëm të madh mjedisor plazheve ku janë ngritur, pasi dallgët i thërmojnë  dhe nxjerrin në sipërfaqe të gjitha mbeturinat e depozituara pranë tyre.

Sipas prof. Hysenit, bregdeti Adriatik në vendin tonë është i tipit akumulativ, në të cilin toka fiton ndaj detit.

“Por jo gjithmonë ndodh kështu; erozioni detar është edhe këtu i pranishëm, veçanërisht pranë zonave kodrinore dhe në grykëderdhjet e lumenjve,” tha ai.

Plazhet e Rrushkullit, Jubës dhe Hamallajt, pranë grykëderdhjes së Erzenit, apo edhe ato të Vilë Bashtovës më në jug rrezikojnë njëlloj si ato të zonës së fshatrave turistikë në Malin e Robit, pranë Kavajës.

“Të gjitha ndërhyrjet amatore, të cilat bëhen pa studimet përkatëse, mund ta përkeqësojnë situatën e erozionit,” shprehet Hyseni.

Tomorr Spahiu, ixhinier nga Durrësi është njëlloj i shqetësuar.

“Urat me gurë, të ngritura vertikalisht me bregdetin, mund të mbrojnë rërën në një gjatësi mjaft të kufizuar, duke pasuar problematikën fqinjit më të afërt,” shprehet ai.

Kjo është arsyeja, që sipas inxhinjerit numri i urave prej guri vazhdon të rritet, ndërsa zgjidhja duket gjithnjë e më larg.

“I ke parasysh cektinat, që përsëriten çdo 30-40 metra në plazhin e Durrësit? – më pyet inxhinjer Spahiu.

“Ato formohen vetiu dhe në këtë mënyrë natyra ruan bregun nga erozioni, ndërsa prindërit ndjehen më të qetë për fëmijët e tyre që bëjnë banjo në cektinë.

“Ne flemë, ndërsa deti jo,” thotë Tomorr Spahiu, duke shtuar: Deti është më i gjallë se sa ne”. /BIRN