Në moshën 81-vjeçare, Taip Isufit i mbushen shpesh sytë me lot. I moshuari nga Durrësi, banor i lagjes nr.18, ka 3 vite që jeton në shtëpi me qira, për shkak se pallati 82/1 ku banonte ka marrë dëmtime DS4 nga tërmeti.

Në një hapësirë rreth 25 metra katrorë, ai jeton me bashkëshorten dhe djalin, në kushte mjaft mjerane. Me pensionet 100 mijë dhe 160 mijë lekë, që marrin duhet të paguajnë qiranë, faturat, por edhe të ushqehen.

Prej 3 muajsh, nuk marrin as bonusin.

Pjesa më e madhe e orendive që ndodhen në garsonieren e improvizuar janë të falura, ndërsa frigoriferi thuajse bosh është dëshmi e varfërisë në të cilën jetojnë dy të moshuarit së bashku me djalin 27-vjeçar.

Pavarësisht premtimeve të qeveritarëve, pallati ku banonte i moshuari ende nuk ka nisur të riforcohet, gjë që e dëshpëron Taipin.

Varfëria është ulur këmbëkryq në këtë familje që banon rreth 3 km nga qendra e Durrësit. Apeli i tij i vetëm është ndihma për të dalë nga kjo gjendje mjerane.

M.B.