Ndërtimi i “Velierës” së Durrësit nisi në vitin 2017, por kur po i drejtohemi fundit të vitit 2021, ajo është ende larg përfundimit.

Madje, fatura e këtij projekti rëndohet edhe më shumë, pasi ditën e sotme, bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderit me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë të vjetër, për fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së Portit Durrës (VELIERA), që pritet të zgjasë plot një vit.

Ndërsa në fillim “Veliera” u prezantua si një projekt me vlerë rreth 4 milionë euro, kostot e saj kanë ardhur duke u shtuar vit pas viti, duke rënduar edhe më shumë financat e bashkisë Durrës, qyteti më i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në fillim, projekti është financuar një pjesë nga qeveria Rama dhe një pjesë nga bashkia Durrës, ndërkohë që në dy ndërhyrjet e fundit, fondet janë siguruar vetëm nga bashkia. Rreth një vit më parë, në maj 2020, “Veliera” rrëmbeu 850 milionë lekë, ndërsa qyteti bregdetar sapo kishte dalë nga lëkundja sizmike, ndërsa qytetarët përjetonin ende makth nga tërmetet që nuk kishin të ndalur. Ndërkohë, fatura e këtij viti është mjaft e kripur.

Në dokumentet e tenderit specifikohet se shuma në fjalë do të përdoret për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të strukturës.

Këto para po jepen në një kohë që ende qindra familje kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti, në një kohë kur nga pallatet e shembura nga tërmeti po ndërtohen vetëm 3, kur me dhjetëra pallate të tjera me dëme DS1-DS2-DS3 kanë mbetur pa u rikonstruktuar.

Por mesa duket, më i rëndësishëm është një projekt luksi që vetëm “vjel” para, sesa strehimi i qytetarëve të Durrësit, të mbetur pa shtëpi.

Në nisje të punimeve të saj, kryeministri Rama e cilësoi Velierën si një “kryevepër arkitektonike”. Mesa duket “kryevepra” do të kushtojë sa frëngu pulën.

M.B.