Është një nga veprat arkitekturore më të kushtueshme të viteve të fundit në Durrës, por Veliera vijon të shfaqë problematika.
Në fundjavë, nga muri anësor i nënkalimit të saj janë shkëputur shumë nga pllakat dekoruese drejtkëndore.

Autoritetet kanë vendosur shiritin e sigurisë për të ruajtur kalimtarët nga rreziku që mund t’u kanoset nëse ndonjë qytetar ecën përgjatë trotuarit të ngushtë që përshkon nënkalimin.

Burime nga bashkia bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se shkak i shkëputjes së pllakave dekoruese është bërë lagështira dhe po pritet përmirësimi i kushteve atmosferike, që Ndërmarrja “Rruga” të ndërhyjë për rivendosjen e pllakave drejtkëndore.

Ndërtimi i Velierës nisi në fund të vitit 2016, por punimet në të ende nuk kanë përfunduar, megjithëse projekti i ka kushtuar më shumë se 10 milionë euro buxhetit të shtetit dhe buxhetit të bashkisë Durrës, që financuan ndërtimin e saj.
Projekti i hartuar nga arkitekti italian Marco Kasamonti zë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katrorë dhe është një nga projektet e “florinjta” të Rilindjes Urbane në Durrës.
Punimet e saj u ndërprenë disa herë për shkak të proceseve gjyqësore dhe “forcave madhore” si tërmeti dhe pandemia Covid-19, ndërkohë që për përfundimin e projektit bashkia Durrës ka akorduar fonde të konsiderueshme nga buxheti i saj për forcimin e nënkalimit dhe veshjen e Velierës me pllaka dekoruese.
M.B.