Policia e Shtetit po ekzekuton një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në ambientet e kampit MEK në Manzë të Durrësit.

I përfshirë në operacion është edhe antiterrori, teksa bëhet me dije se urdhri i kontrolleve është në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe për parandalimin e sulmeve kibernetike.

Shumë nga banorët e kampit, ku strehohet opozita iraniane janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje dhe po kthehen sërish në kamp.

Aktualisht, rreth 3000 anëtarë të MEK vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3, një kompleks ky i fortifikuar rëndë.

Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në 2013-n. Organizata politike e rreshtuar në krah të kundërt me regjimin e ajatollahëve të Iranit, është në konflikt të hapur me të.

Grupi është në shënjestrën e Gardës Kombëtare iraniane. Raporte të ndryshme tregojnë se shërbimi sekret iranian ka rekrutuar edhe shtetas shqiptarë për t’i mbajtur muxhahedinët e MEK-ut nën vëzhgim, e për këtë paguheshin nga Teherani.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.

Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.

Grupet e kontrollit të Policisë po vijojnë kontrollet në territorin e kampit MEK dhe në ambientet e brendshme të tij. Në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.