Në vigjilje të Pashkës, në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës gjithçka është gati për këtë moment të rëndësishëm të besimit ortodoks.

Përgjatë 2 javëve të fundit, të shumtë kanë qenë besimtarët që me lutjet e tyre dhe pjesëmarrjen në meshat respektive kanë dëshmuar besimin e fortë në Zotin Jezu Krisht, i cili u sakrifikua për njerëzimin.

Në urimin e tij për të gjithë besimtarët ortodoksë, por edhe qytetarët shqiptarë, at Spiro Kostoli vë theksin ndër të tjera në “kalimin që këto Pashkë duhet të simbolizojnë për një jetë më të qetë, më të paqme, më pranë njëri tjetrit dhe më pranë Perëndisë.

Ashtu siç një bimë po e shkulëm nga toka thahet, ose një peshk nëse ne e nxjerrim nga uji ngordh kështu edhe njeriu nëse e shkëpusim nga burimi i jetës që është perëndia atëherë edhe ky njeri transformohet dhe nuk e mban më këtë emër, sepse njeri do të thotë komunikim shpirt edhe trup dhe komunikim i vazhdueshëm me perëndinë”.

Të krishterët në festën e Pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.