Pas 5 vitesh mësimi në godina pritëse, nxënësit e shkollës “14 nëntori” në Durrës janë rikthyer në godinën e sapo rikonstruktuar me fondet e Bashkimit Evropian. Për pjesën më të madhe të tyre, emocionet e ditës së parë janë të shumta, por gëzimi për rikthimin në godinën ku për herë të parë u ulën në bankat e shkollës dhe mësuan ABC-në është edhe më i madh.
“Jam shumë e lumtur që pas kaq vitesh u rikthyem në shkollën tonë, sepse po torturoheshim në shkolla të tjera. Mezi po e pres momentin që do futem në klasën time”.
“Kam shumë emocione, sepse më në fund po kthehemi në folezën tonë të diturisë”.
“Që nga tërmeti ishte prishur, por tani duket shumë e bukur shkolla”,– janë disa nga opinionet e nxënësve dhënë për “DurrësLajm”.
Në këtë shkollë të rikonstruktuar totalisht, nëpërmjet programit EU4Schools, do të zhvillojnë procesin mësimor rreth 700 nxënës dhe 50 fëmijë të ciklit parashkollor.
“Shkolla nga pak rënie që pësoi për shkak të turneve të dyta, sot ka shkuar me 3 paralele dhe shënojmë rreth 683 nxënës , njëkohësisht kemi kopshtet që janë edhe ato të rihapura, kemi dy grupe aty. Shpresojmë që të japim të gjitha kapacitetet tona, përkushtimin tonë, që nxënësit jo vetëm të gjejnë njδ mjedis me të gjitha standartet evropiane, por njëkohësisht edhe nivelin e duhur të të nxënit” ,- tha ndër të tjera drejtoresha e shkollës, Merita Kuçi.
Ky vit i ri shkollor e gjen Durrësin me pjesën më të madhe të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të rikonstruktura dhe rindërtuara nga e para. Ky është viti i parë që pas tërmetit, që thuajse të gjitha institucionet arsimore kanë hapur dyert apo do t’i hapin ato brenda muajit shtator.
Në 57 institucionet arsimore të bashkisë Durrës janë në total rreth 27.000 nxënës që do të ulen në bankat e shkollës, nga të cilët rreth 1800 vogëlushë do të frekuentojnë klasën e parë, ndërkohë që janë 1382 nxënës që do të ndjekin klasat e 10-ta në gjimnazet e qytetit.
M.B.