Në kantierin e ndërtimit të godinës së parkimit publik pranë stacionit të trenit në Durrës paraditen e sotme kishte vizitorë të veçantë. Studentë të Fakultetit të Studimeve Profesionale, dega Menaxhim-Ndërtimi u njohën  nga afër me shumë procese të punës në kantier, procese këto të cilat do t’i hasin gjatë ushtrimit të profesionit në përfundim të studimeve.

“Eshtë një gjë shumë e mirë kjo praktikë, që ata të mos ngelin vetëm të përgatitur teorikisht, por të jenë të mësuar të prekin jo vetëm anën teknike të realizimit të punimeve, por edhe të kuptojnë sesi funksionojnë marrëdhëniet mes investitorit, zhvilluesit, subjekteve zbatuese, punëtorëve, organizimit të kantierit etj”,- tha profesori i lëndës Menaxhim-Ndërtimi, Almir Mane.

Drejtori i kantierit Redi Sefa shoqëroi studentët dhe profesorin Mane përgjatë gjithë vizitës së tyre dhe shprehu bindjen se në të ardhmen disa prej këtyre të rinjve mund të jenë pjesë e stafit të kompanive të ndërtimit ende pa përfunduar studimet e larta.

“Studentët ishin të interesuar për gjeometrinë e objektit, strukturën, për materialet, sigurinë teknike, kantierin në përgjithësi. Unë vetë personalisht kam nisur punë kur kam qenë në vit të katërt në universitet. Kjo periudhë ka nevojë për njerëz të rinj si në drejtim, si në menaxhim kantieri, si në dokumentacion”.

Në Fakultetin e Studimeve Profesionale, në UAMD, mbetet prioritet i punës së stafit akademik përshtatja e programeve të studimit me tregun e punës. Për profesorin Mane marrëveshjet institucionale janë një domosshmëri e kohës për t’u mundësuar studentëve integrimin më të lehtë në tregun e punës.

“Gjej rastin që të ftoj gjithë aktorët institucionalë që të gjejnë një mënyrë bashkëpunimi apo marrëveshje specifike, që të bëjnë të mundur integrimin qoftë të studentëve në kantieret e punës, qoftë edhe t’i përfshijnë ata në investimet publike që zhvillohen në qytetin tonë”.

Qendra e re e parkimit në Durrës do të ketë 400 vende parkimi si dhe funksione të ndërthurura midis hapësirave për parkim, ambienteve për zyra dhe aktivitete të tjera.

M.B.