Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në parlament amendamentet, duke pretenduar se nëpërmjet tyre të krijohen lehtësime për votuesit nga jashtë territorit të Shqipërisë. Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi thotë se edhe emigrantë shqiptarë të cilët janë të pajisur me dokumente biometrike të shteteve të huaja ku ata jetojnë, të kenë të drejtën e votës.
“Çdo shtetas shqiptar i cili mund të identifikohet në mënyrë të besueshme duhet të votojë. Ai që nuk do të votojë është zgjedhje e tij, po ai që do të votojë mos të pengohet”, – tha Oerd Bylykbashi.
Demokrati akuzon mazhorancën se pa asnjë arsye ligjore, nuk ka vullnet politik për të mbështetur propozimin e PD.
“Situata është e rëndë, qeveria e di, ajo i ka të dhënat, nuk i bën publike që ta fshehë këtë fakt, nuk merr hapa”, – tha Bylykbashi.
Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, thotë se mazhoranca duhet t’i kishte marrë masat për lehtësimin e regjistrimit të emigrantëve para 11 Janarit, duke e akuzuar edhe se krijon ngërçe të qëllimshme procedurale për t’u favorizuar në zgjedhje.
“Është një proces i cili nga pikëpamja teknike është lehtësisht i lehtë, i zgjidhshëm dhe i adresueshëm nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra platforma PER e cila është ngritur nuk ka nevojë për adresime të sofistikuara teknike që ta zgjidhë këtë problem. Mjafton garancia ligjore, mjafton parashikimi ligjor dhe teknikisht është menjëherë e zgjidhshme kjo gjë”, – tha Ivi Kaso.
Nëse amendamentet e tyre do të refuzohen nga PS, demokratët nuk janë të qartë nëse do i bashkohen ose jo votimit për ndryshimet në kodin zgjedhor.
“Nuk ka ndonjë draft të dakordësuar midis palëve politike. Pra ka shqetësime të dakordësuara të palëve politike të cilat veç e veç ose në momente seancash janë diskutuar me komisionerë shtetërorë dhe me komponentë të tjerë të KQZ-së, si me rregullatorin si në KAS kur ka shkuar një çështje e ngjashme”, – tha Kaso.
“Pa u zgjidhur kjo, çdo gjë tjetër kuptohet që bëhet nul dhe jo në fjalët e mia po në fjalët e komisionerit shtetëror për zgjedhjet”, – tha Bylykbashi.
Ndryshimet në kodin zgjedhor lidhen me shpenzimet që kanë të bëjnë me fletët e votimit për diasporën, zgjerimin e afateve duke i lënë më shumë kohë KQZ për të vijuar të gjitha proceduar që lidhen me voton nga jashtë territorit të shqipërisë si dhe në numërimin e votave të diasporës të përfshihen dhe komisionerë nga forcat politike.