Gjykata ka lënë nën masën “arrest shtëpie” Artjola Sallahu, motra e viktimës së djeshme në Has. Një vrasje me armë zjarri ndodhi ditën e djeshme në Has ku viktimë mbeti 34-vjeçari Rushit Sallahu. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt për prona.
Mësohet se familja Jaku, e autorit të dyshuar të vrasjes Ylber Jakut, ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite për konfliktin. Siç raportohet kallëzimet janë bërë nga babai i autorit i cili u kërkonte institucioneve zgjidhjen e konfliktit. Por me sa duket autoritetet nuk kanë ndërhyrë për të zgjidhur konfliktin.
Përplasja mes familjeve Sallahu dhe Jaku ka pasur në thelb mosmarrëveshje për çështje pronësore, që kanë degjeneruar në dhunë fizike dhe përfunduan tragjikisht me humbjen e një jete. Sakaq Artjola Sallahu, motra 21-vjeçare e viktimës Rushit Sallahu, që u vra djenga Ylber Jaku në fshatin Pla, ka dhunuar fizikisht dy prindërit e autorit të krimit.
Si pasojë e dhunës, të dy të moshuarit janë shtruar në spitalin e Traumës, ku nëna e autorit Ylber Jaku ka thyerje të legenit. Për këtë konflikt, motra e viktimës është arrestuar dy ditë më parë. Gjatë ditës së djeshme, autori Ylber Jaku 41-vjeç ka vizituar të moshuarit në spital dhe duke parë gjendjen e tyre të rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës, ka vrarë në fshat vëllain e vajzës që dhunoi të moshuarit.