Policia e Durrësit njofton arrestimin e Agron Bejdollit, i cili u vu në pranga në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “Wanted”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Wanted”.

Gjatë operacionit, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Agron Bejdolli, 33 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi më datë 02.05.2023, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas akuzohet se më datë 02.10.2022, në Maminas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i ka hequr lirinë shtetasit Indrit Beqiraj, banues në Durrës.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.