Lidhur me aksidentin tragjik me vdekje që ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Sukth-Manzë”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Naim Mena 40 vjeç, policia e Durrësit njofton se ka arrestuar sot 3 persona, që ishin drejtuesit e dy mjeteve dhe një motomjeti, dy prej të cilëve ia mbathën nga vendngjarja.

Policia sqaron sot se viktima shtetasi M.N. (i cili ishte pasagjer në një motor) pasi ka rënë në rrugë si pasojë e përplasjes së motomjetit me një automjet, aty ka kaluar edhe një makinë tjetër e cila e ka goditur dhe drejtuesi i saj ia ka mbathur. Por ai është identifikuar nga uniformat blu dhe u vu sot në pranga.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës kapën dhe arrestuan shtetasit Amonali Halili, 24 vjeç, banues në Sukth, Hasbi Hasbiun, 66 vjeç, banues në Sukth i Ri dhe Gjim Rusi, 43 vjeç, banues në Kullë, Durrës.

Dinamika e aksidentit sipas policisë:

Rreth orës 20:45, në aksin rugor “Sukth – Manëz”, automjeti me drejtues shtetasin Amonali Halilin, është përplasur me motomjetin pa targa, me drejtues shtetasin Gjim Rusi dhe me pasagjer shtetasin M. N. Nga kjo përplasje, ka rënë nga motomjeti, në rrugë, shtetasi Naim Mena, ndërsa 24-vjeçari është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi Naim Mena, është goditur edhe nga automjeti me drejtues shtetasin Hasbi Hasbiun, i cili gjithashtu është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, shtetasi Naim Mena ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një shtetasi, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.