Një sasi prej 25 mijë litrash naftë kontrabandë janë sekuestruar nga Policia në Durrës, ndërsa në pranga ka përfunduar ekuipazhi i peshkarexhës. Zakonisht, anije të tilla furnizohen me naftë në Libi për shkak të çmimit të ulët atje dhe vijnë më pas në portin e Durrësit.
Në pranga përfunduan shtetasit Shpëtim Cani, 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë përkatësisht kapiten, si dhe Roland Cani, 41 vjeç, me detyrë marinar i anijes së peshkimit ‘LEON’. “Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar ‘Diesel 2’, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).
Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit, me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm”, sqaroi Policia e Durrësit. Pas arrestimit, vëllezërit kanë deklaruar se karburantin e kishin për punët e tyre. “Karburantin e kemi për anijen tonë, nuk kemi kryer asnjë shkelje. Siç e patë edhe vetë, nuk kishim sajuar depozita, por vetëm depozitën e mjetit”, kanë thënë ata.