Në amfiteatrin e Durrësit kanë filluar të kryhen sondazhet gjeologjike. Procesi pritet të zgjasë 10 ditë dhe ka për qëllim të zbulojë çfarë fsheh ky sit i trashëgimisë kulturore në nënshtresat e arenës së tij.

“Në arenën e amfiteatrit të Durrësit, po kryen sondazhet gjeologjike një kompani. Po merren disa kampione nga shtresat e nëndheshme, në disa pika të ndryshme të amfiteatrit. Pas marrjes së këtyre kampioneve, do të bëhen më pas analizat e tyre dhe do të shikohen nga specialistët se çfarë përbërje kanë shtresat që nuk janë kontrolluar më parë”,- tha për “DurrësLajm” drejtori i Qendrës Muzeore durrës, Alban Ramohitaj.

Arkeologët dhe specialistët e kompanisë “Altea & Geostudio 2000” janë duke kryer paralelisht sondazhe në disa hapësira të amfiteatrit. Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për zbulimin e plotë të amfiteatrit, sipas projektit të realizuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

“Do të ketë disa faza puna për hapjen e arenës së amfiteatrit, pasi është punë voluminoze që do të kërkojë kohën e vet për t’u zbatuar, por njëkohësisht do të ketë nevojë për specialistët që do të merren me të.”– tha Ramohitaj.

“Thembra e Akilit” për zbulimin e plotë të amfiteatrit, të ndërtuar në shek II pas Krishtit, kanë qenë shtëpitë e ndërtuara rreth e qark. Javë më parë, qeveria Rama miratoi vlerat e dëmshpërblimit për  12 familjet e para që do të shpronësohen dhe sipas Ramohitajt, procesi ka nisur tashmë.

“Kanë nisur të kryhen shpronësimet e para dhe hap pas hapi do të mund të shikojmë se amfiteatri do të zbulohet dhe rijetësohet për t’u shndërruar në shumë herë më të bukur sesa ky që kemi sot”.

Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Projekti për ndërhyrjen rehabilituese dhe rijetësuese në zonën arkeologjike A&B të Durrësit pritet të prekë 200 godina.

M.B.