Disa muaj pasi humbi jetën tragjikisht në një zjarr janë bërë publike shkaqet e vdekjes së aktorit Bobby J. Brown, i njohur për rolin e tij në serialin “The Wire”.
Sipas raportit të Zyrës së Mjekut Ligjor në Maryland, aktori ndërroi jetë si pasojë e djegieve të rënda termike dhe thithjes së tymit. Autoritetet e kanë cilësuar vdekjen e tij si aksident. Bobby J. Brown humbi jetën më 24 shkurt të këtij viti, në moshën 62-vjeçare.
Vajza e tij, Rayna Brown, ka rrëfyer më herët se e mori lajmin tragjik përmes një telefonate në mes të natës. Ajo tregoi se ishte në gjumë kur motra e saj më e vogël e telefonoi e tmerruar për t’i thënë se babai i tyre kishte humbur jetën pasi mbeti i bllokuar në flakë.
“E kisha të pamundur ta besoja. Dola zbathur jashtë shtëpisë në mes të natës, duke u përpjekur të kuptoja nëse ishte një makth apo realitet”, kishte treguar ajo.
Rayna Brown zbuloi gjithashtu se, ndërsa zjarri përhapej, babai i saj kishte kërkuar nga një i afërm t’i sillte një fikëse zjarri, por nuk arriti t’i shpëtonte flakëve. Sipas saj, familja vazhdon ta ketë të vështirë të përballet me humbjen.
Pas ndarjes së tij nga jeta, agjenti i aktorit, Albert Bramante, e kujtoi Bobby J. Brown si një artist me talent të jashtëzakonshëm dhe integritet të lartë.
“Bobby J. Brown ishte një aktor me talent të madh dhe një njeri me karakter të rrallë. Ai e ushtronte profesionin e tij me disiplinë dhe pasion, duke frymëzuar të gjithë ata që punonin me të“, u shpreh Bramante.
Bobby J. Brown kishte një karrierë të gjatë si aktor karakteresh në televizion dhe film, duke marrë pjesë në disa produksione amerikane për role dytësore. Ai ishte i vlerësuar në industrinë e filmit për profesionalizmin dhe përkushtimin në set, si dhe për aftësinë për të sjellë autenticitet në rolet e tij.





