4 dekanë në garë për rektor të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Fushata elektorale ka nisur zyrtarisht sot, pasi të hënën ishte afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve.

Ata janë Shkëlqim Fortuzi, dekan i Fakultetit të Biznesit, Osman Metalla, dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Andon Kume, dekan i Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike dhe e vetmja kandidate femër Lindita Mukli, dekane e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” është drejtuar për dy mandate (2016-2024) nga rektorja Kseanela Sotirofski, e cila për shkak të ligjit për Arsimin e Lartë nuk mund të rikandidojë sërish.

Gara duket e fortë mes 4 kandidatëve të përfshirë në të, disa prej të cilëve kanë shpalosur tashmë në rrjete sociale platformën e tyre.

“Dëshiroj t’Ju ftoj të gjithëve, studentë, staf akademik dhe administrativ, të angazhohemi e të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e më frytdhënëse për UAMD-në, dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe shoqërisë sonë”,- thotë ndër të tjera në postimin e tij kandidati Shkëlqim Fortuzi.

Paralelisht me garën për zgjedhjen e rektorit të ri, garë zhvillohet në secilin nga 5 fakultetet e UAMD-së për përzgjedhjen e dekanëve.

Deri më tani, janë publikuar në faqen zyrtare të universitetit vetëm emrat e 2 kandidatëve që garojnë për postin e dekanit të Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike.

Bëhet fjalë për Gentiana Krajën dhe Linert Lirëza.

Ndërkohë, sipas burimeve nga UAMD, emrat e kandidatëve për dekanë në 4 fakultetet e tjera pritet të publikohen gjatë ditës.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar 21 qershorin si datën kur do të zhvillohet gara për autoritetet e reja drejtuese në të gjithë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.

Përgjatë 1 muaji, kandidatët do të kenë kohë për të shpalosur platformat e tyre pse duhet të zgjidhen në krye të institucioneve.

Ligji për Arsimin e Lartë lejon që rektorët, dekanët apo drejtuesit e departamenteve të shërbejnë vetëm në dy mandate. 

M.B.