Që nga ora 08.00 ka nisur procesi i votimit në 5 qendrat e hapura pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Në dy qendrat e hapura pranë godinës në Currila kishte radhë të gjata studentësh që prisnin të votonin për të zgjedhur rektorin/en, dekanët e 5 fakulteteve dhe shefat e departamenteve.

Sipas studentëve dhe pedagogëve, në orët e para procesi ka vijuar normalisht, ndërkohë që problem kanë përbërë vetëm radhët dhe minutat e pritjes. Në procesin e votimit pritet të marrin pjesë 310 anëtarë të stafit akademik dhe 12144 studentë.

Në garën për rektor të UAMD-së janë përfshirë 4 kandidatë Lindita Mukli, Andon Kume, Shkëlqim Fortuzi dhe Osman Metalla, ndërkohë që rektorja aktuale Kseanela Sotirofski nuk kishte të drejtë të rikandidonte, pasi ka 2 mandate në këtë post.

Sipas kryetares së Komisionit Institucional Zgjedhor, Ada Gashi, ecuria e deritanishme e procesit të votimit është e mirë, ndërkohë që rezultatet e numërimit dhe shpallja e fituesit për postin e rektorit pritet të ndodhë brenda ditës së sotme.

Në të 5 qendrat e votimit në UAMD pritet të votohet deri në orën 16.00. Vetëm nëse do të ketë votues që presin në radhë, procesi do të përmbyllet në momentin kur edhe votuesi i fundit e hedh votën në kutinë e votimit.

Paralelisht në të gjithë vendin po zhvillohen votimet në 14 institucione të arsimit të lartë publik.

M.B.