Industria e telekomunikacionit ka regjistruar abonentin e saj të 5 miliardtë, sipas të dhënave të GSMA-së. Kjo shifër nënkupton se tashmë, mbi dy të tretat e popullsisë botërore janë të lidhur me një shërbim celular.

Por të arrihej te ky numër nuk ka qenë e lehtë, pasi për të bërë 1 miliard abonentët e fundit janë dashur 4 vjet.

“Të arrish rekordin e 5 miliardë abonentëve është një arritje e madhe për një industri që është vetëm disa dekada e vjetër, dhe reflekton miliarda dollarët që operatorët celularë kanë investuar në rrjete, shërbimi dhe frekuenca gjatë viteve”, thotë Mats Granryd, drejtori i përgjithshëm i GSMA.

Më shumë se gjysma e abonentëve ndodhen në rajonin e Azisë së Paqësorit, ku ndodhen edhe dy tregjet më të mëdha: Kina dhe India. Kina numëron mbi 1 miliard abonentë, ndërsa India 730 milionë.

Zona ku ky shërbim ka gjetur më tepër shtrirje ndërkohë është Europa, ku 86% e popullsisë janë regjistruar në një shërbim telekomunikacioni. Ajo ndiqet nga Amerika e Veriut, ku kjo shtrirje arrin në 80% të popullsisë.

Zona e Afrikës Sub-Sahariane është ajo me shtrirjen më të ulët, 44 për qind.

Tashmë fokusi i operatorëve do të jetë në ndërlidhjen e popullatave kryesisht rurale, me të ardhura të ulëta.