Në ambientet e Galerisë së Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës ditën e mërkurë, më 28 korrik do të hapet ekspozita në kujtim të piktorit të ndjerë durrsak, Nikolet Vasia.

E titulluar “10 vite pa Nikoletin” – In Memoriam, ekspozita çelet nesër në orën 18:30 dhe do të qëndrojë e hapur për artdashësit e qytetit bregdetar dhe jo vetëm deri më datë 30 gusht.

Pikturat që do të ekspozohen janë nga fondi i galerisë dhe koleksione private. Kjo ekspozitë vjen nën kurimin e Alketa Tragaj Myshketa. 

Piktori Nikolet Vasia lindi më 5 gusht 1947 dhe u nda nga jeta më 28 korrik 2011, një javë para se të festonte përvjetorin e 64-rt të lindjes.

Artisti i kompletuar durrsak ka punuar në të gjitha gjinitë e artit pamor: pikturë, skulpturë, mozaik, pikturë murale, vitrazh, skenografi dhe grafikë, ndërsa la pas një pasuri artistike mjaft të vyer.