Në këto ditë përvëluese qershori, 12 ekipe U-19 nga Italia, Nigeria, Kameruni, Kosova dhe Shqipëria do të ndeshen në fushën e blertë të stadiumit “Niko Dovana” në turneun ndërkombëtar të futbollit Eagle Cup, i ngjashëm me turneun e famshëm të Italisë, Viareggio Cup 2025.  Turneu u hap me ekzekutimin e himneve kombëtare të skuadrave pjesëmarëse.

Ekipet e të rinjve nga Italia, Nigeria, Kameruni, Kosova dhe Shqipëria do të ndeshen mes tyre për të përzgjedhur skuadrën fituese të turneut, por edhe futbollistët më me perspektivë, që në vitet e ardhshme mund t’u bashkohen ekipeve më në zë të Evropës.

Eventi sportiv ndërkombëtar ka për qëllim të promovojë dialogun dhe miqësinë mes të rinjve, të inkurajojë zhvillimin e talenteve të rinj të futbollit dhe në të njëjtën kohë të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar mes institucioneve sportive,- tha ndër të tjera presidentja e fondacionit ALBITSOL, Vasenka Leka.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse të eventit ishin dhe dy emra mjaft të njohur të futbollit italian Alberto Bigon dhe Enzo Gambaro.

Dy ish-futbollistët u bënë apel të rinjve ta shijojnë pjesëmarrjen në këtë event dhe mbi të gjitha lojën në fushën e blertë.

“Ky është një moment gëzimi, ekipet nga vende të ndryshme dhe nga kontinente të ndryshme do të përballen në fushën e blertë. Do të jetë interesante të shohim aftësitë teknike në nivel profesional dhe sportiv të këtyre të rinjve”.

“Mund të them që është një turne për të rinjtë i nivelit të lartë. Mendoj se për Shqipërinë është një event unik. Do të shohim lojtarë shumë të mirë që në vitet e ardhshme do të luajnë në ekipet evropiane. Faleminderit Shqipërisë që i dha mundësi këtyre skuadrave të marrin pjesë në këtë turne të rëndësishëm”.

Turneu ndërkombëtar do të zhvillohet në datat 8-14 qershor në qytetin e Durrësit dhe në përfundim të tij do të shpallen më të mirët e eventit.

M.B.