Në eksperiencën 16 vjeçare, pjesë e repartit zjarrfikës në Portin e Durrësit, Gazmir Thartori, tregon se momenti më i vështirë ka qënë tërmeti i dy viteve më parë, që gjunjëzoi qytetin, por jo vetëm. 

Një profesion sfidues, siç e quan Komandant Gazmiri, puna e një zjarrfikësi kërkon energji, kurajo dhe motivim të përditshëm, për përballimin e situatave të reja me të cilat hasesh çdo ditë.  

Ai nuk fsheh krenarinë e viteve të gjata të punës, që hera herës e kanë detyruar të sakrifikojë edhe jetën familjare, duke qëndruar me orare të zgjatura dhe në ballë të sprovave me të cilat është përballur. 

“Ekipi zjarrëfikëses në APD, i përbëre nga 38 punonjës, është 24 orë çdo ditë në dispozicion të ruajtjes dhe monitorimi të territorit të Portit më të madh në vend, zjarrfikëses së  qytetit dhe Prefekturës së Qarkut, qendrës së emergjencave, me mjete zjarrfikëse dhe pompat e ujit në rast përmbytjeje”, pohon Gazmiri. 

Një ditë normale pune për Gazmirin nis më herët se orari zyrtar i paraqitjes në punë, duke u kujdesur për marrjen e sinjaleve nga Salla Operative e APD-së dhe kujdesit për t’u njohur me të gjitha burimet e komunikimit brenda dhe jashtë Portit. 

“Kushtet e punës, në fillimet e eksperiencës sime kanë qënë të vështira, por dita ditës janë përmirësuar dhe sot zjarrfikësit punojnë në kushte optimale, që nga zyrat, dhomat e pushimit, zjarrfikëset, pajisjet e specializuara, mjetet e shpëtimit, shkallët, pompat e ujit etj.”, tregon më tej Komandanti i PMNZSH-së. 

Momenti më i vështirë në rrugëtimin e tij profesional është padyshim 26 nëntori i 2019-ës, kur askush nuk njihej në terren për të treguar pozicionin e punës, por për të kontribuar në nevojat që kishte çdo qytetar. 

“Në fakt, po bëhen pothuajs dy vite nga një prej fatkeqësive më të rënda që preku vendin tonë, tërmeti i 26 nëntorit, që nuk arrij dot t’a shpreh me fjalë vështirësinë mes profesionit dhe humanizmit njerëzor. Kemi dhënë kontribut të pakursyer në këtë vështirësi për bashkëqytëtarët tanë dhe ashtu do vijojmë të jemi çdo ditë me ta dhe për ta”, rrëfen mes emocionesh Gazmiri. 

Në fund, përveç ftesës për të rinjtë që t’i bashkohen këtij profesioni, ka dhë një sugjerim: Hapjen e një Akademie për formimin profesional të efektivit zjarrfikës në vendin tonë! /APD