Vështirësohet situata ekonomike e familjeve të mbetura të pastreha nga tërmeti i 2 vite e gjysmë më parë.

Vonesa në kalimin e bonusit është kthyer në problem për familjet që jetojnë në shtëpi me qira dhe detyrohen çdo muaj t’i paguajnë pronarëve paratë.

Prej dy muajsh tashmë këto familje nuk kanë marrë bonusin e qirasë, ndërsa kanë hyrë në muajin e tretë dhe i tremben faktit se situata mund të komplikohet edhe më shumë.

Kemi pyetur disa herë në bashki dhe në bankë, por asgjë, s’ka para, ndërkohë pronari i banesës më kërkon qiranë e këtyre muajve. Çfarë do të ndodhë me ne?”, shkruan një qytetare, teksa ka ndarë shqetësimin e saj në redaksinë e “DurrësLajm”.

Sipas qytetarëve përfitues, atyre nuk u është kaluar qiraja e muajve maj dhe qershor, ndërkohë që prej disa ditësh tashmë jemi në muajin korrik.

Vonesat në kalimin e bonusit janë një fenomen i përsëritur për mijëra familje që trajtohen me bonus qiraje dhe bashkia e Durrësit në shpjegimin e saj gjithnjë ka vënë theksin se, paratë duhet të lëvrohen nga Thesari i Shtetit për të kaluar më pas në llogaritë e qytetarëve përfitues.

Duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi, kjo i rëndon në vazhdimësi xhepat e familjeve durrsake, që lipset të përballojnë edhe shtrenjtimin e jetesës këto kohë.