Festat e fundvitit supozohet të jenë një nga periudhat më të bukura të vitit, por kjo gjë nuk mund të thuhet për rreth 3800 familjet durrsake, që përfitojnë bonusin e qerasë.

Megjithëse jemi në ditët e fundit të vitit 2021, shumë familje pohojnë për “DurrësLajm”, se nuk e kanë marrë ende bonusin për muajt nëntor dhe dhjetor.

Prej muajsh tashmë ata përballen me vonesa të pajustifikuara në kalimin e bonusit të qerasë, ndërsa prej dy vitesh jetojnë në shtëpi me qera, pasi apartamentet apo banesat e tyre janë dëmtuar rëndë ose janë shembur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Vonesat në kalimin e parave nga Thesari i Shtetit në llogaritë bankare të qytetarëve variojnë nga 2 deri në 3 muaj dhe kjo gjë ka qenë më e theksuar nga muaji gusht i këtij viti e në vazhdim.

Ndërsa jemi në prag të Krishtlindjeve dhe çdokush rend të mbushë shportën ushqimore për tryezën festive, apo blerjen e dhuratave për njerëzit e zemrës, këto familje janë të detyruara, që këtë fundvit një pjesë të shpenzimeve të tyre t’ia lënë pagesës së qerasë.