Startuan sot në Durrës “Ditët Evropiane të Arkeologjisë”. Me këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Muzeore Durrës organizuan një sërë aktivitetesh në disa nga sitet arkeologjike të qytetit 3000-vjeçar.

Për 3 ditë me radhë, sitet arkeologjike të Durrësit, Butrintit dhe Apolonisë do të mund të vizitohen falas duke u dhënë kështu një mundësi më shumë të gjithë të interesuarve të eksplorojnë më nga afër trashëgiminë e pasur arkeologjike të vendit tonë.

“Aktiviteti ka qëllim kryesor promovimin e trashëgimisë kulturore, specifikisht sot për trashëgiminë arkeologjike. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkërendim të punës me Ministrinë e Kulturës, organizoi aktivitetin e parë që ishte një guidë turistike për amfiteatrin e Durrësit. Sot hyrja ishte falas. I njejti aktivitet që ne po organizojmë, organizohet edhe në Evropë.”,- deklaroi për “DurrësLajm”, Ela Miziri, drejtoreshë e Shërbimit Arkeologjik, pranë IKTK.

“Ditët europiane të arkeologjisë kanë si qëllim të afrojnë publikun e gjerë me arkeologjinë, jo vetëm specialistët e fushës. Ajo që është më e rëndësishme janë projektet që ka Ministria e Kulturës për amfiteatrin e Durrësit, por dhe të gjithë pasurinë kulturore të qytetit. Të gjitha këto iniciativa synojnë t’i japin rëndësinë e duhur dhe të krijojnë një qasje më të gjerë me publikun si dhe për të përfituar sa më shumë prej tyre.”,- tha Mariglen Meshiri, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Grupe të shumta turistësh të huaj zhvilluan paraditen e sotme vizita në amfiteatër, duke përfituar edhe nga mundësia e turit falas. Për turistët, Shqipëria mbetet një vend në eksplorim dhe zhvillim, mjaft interesant për t’u vizituar.

Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, pohon se shifrat e vizitave në sitet arkelogjike dhe historike janë mjaft të mira për këtë vit, pasi regjistrohet një rritje me rreth 40-50% krahasuar me vitin e kaluar.

Krahas vizitës me udhërrëfyes në amfiteatër, paraditen e sotme u improvizua edhe një demonstrim i një gërmimi arkeologjik, të cilët kanë qenë të shpeshtë vitet e fundit në sitin më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, që pret të zbulohet i gjithë falë projektit që do të vihet në zbatim nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

M.B.