Pas parkimit publik me kate, të ndërtuar tek Stacioni i Trenit, po diskutohen disa projekte ide për ndërtimin e parkimeve nëntokësore në Durrës.

Në qytetin ku nevoja për vende parkimi është më e lartë se kurrë, autoritetet po shohin mundësinë e ndërtimit të tyre nëntokë.

Bashkia dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po shohin mundësinë e ndërtimit të tyre në tre hapësira publike në qytet; tek shëtitorja Taulantia, tek Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe tek sheshparkimi i autobusëve tek Stacioni i Trenit.

Tre projekt-idetë i janë prezantuar publikisht edhe kryeministrit Edi Rama, në kohën kur ai inspektoi punimet që po kryhen në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”, atje ku po zbatohet projekti i arkitektit Ricardo Bofill.

Ishte vetë drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, që e njohu kryeministrin me projekt – idetë, që mund të marrin udhë në të ardhmen.

Tek Mauzoleumi i Dëshmorëve është ideuar të ndërtohet një parkim nëntokësor me 3 kate, siç duket edhe në dokumentin që “DurrësLajm” po publikon. Sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 3120 m2 për kat, ndërsa në total aty planifikohen të krijohen 312 vende parkimi.

Parkimi tjetër tek sheshqëndrimi i autobusëve, nëse do të ndërtohet, do të jetë shumë pranë parkimit me kate, i cili, në këto muaj të parë të funksionimit, ka dëshmuar se nuk preferohet nga drejtuesit e mjeteve, kjo për shkak të tarifave të parkimit apo pozicionit të tij.

Ndërsa tek Shëtitorja “Taulantia” nisur edhe nga frekuentimi që kjo hapësirë publike ka nga qytetarët, sidomos pasditeve dhe fundjavave, mund të zgjidhte problemin e parkimit për shumë vendas, por edhe vizitorë dhe turistë, që i drejtohen lagjes nr.1 për një shëtitje buzë detit apo për të frekuentuar lokalet dhe restorantet e zonës.

Por secili nga projektet është i kushtueshëm dhe me shumë mundësi bashkia do të kërkojë ndihmën e FSHZH-së për realizimin e secilit variant të propozuar.

Nga ana tjetër, ndërtimi i një parkimi nëntokësor në Durrës krijon mundësinë, që site arkeologjike të dalin në pah dhe punimet të ndërpriten.

Nëntoka e Durrësit rezervon përherë surpriza gjatë gërmimeve dhe jo në pak raste ato kanë dalë në dritë pikërisht gjatë punimeve për investime publike, si tek Veliera, tek shkolla “Eftali Koçi”, tek shkolla “Gjergj Kastrioti” apo investime private si tek lulishtja 1 Maji etj.

Zona tek Mauzoleumi i Dëshmorëve njihet si një hapësirë me potencial të konsiderueshëm arkeologjik, pasi sondazhet e bëra nga arkeologu Eduard Shehi dhe proforesha franceze Catherie Abadie-Reynal, të  realizuar në kuadër të projektit të Institutit të Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Lionit në Francë, evidentuan në lulishten e mauzoleumit një banjo publike romake si ajo që gjendet në themelet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Në kohën, kur 10 vite më parë diskutohej që tek lulishtet tek Mauzoleumi i Dëshmorëve të ndërtohej Pallati i Drejtësisë, arkeologët Fatos Tartari dhe Moikom Zeqo shpreheshin në media kundër projektit, pasi “zona e ish-Lulishtes 1 Maji e deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve është një zonë e pasur arkeologjike”.

Mbetet për t’u parë në vijimësi nëse ndonjëra prej projekt – ideve për parkim nëntokësor në Durrës do të marrë ose jo dritën jeshile.

Ndërkohë në qytetin që regjistron numrin më të lartë të automjeteve për 1000 banorë gjetja e një vend parkimi të lirë për shoferët do të mbetet shqetësim i përditshëm i të gjithë qytetarëve, që disponojnë një automjet edhe për shumë kohë.

M.B.