Sezoni i krocerave këtë vit pritet të jetë më i suksesshëm, sesa ai i vitit të kaluar. Sipas kapitenit të portit të Durrësit, Tauland Allka deri më tani janë 23 udhëtime të planifikuara, ndërsa 7 të tjera në pritje të konfirmimit.

“Këtë vit do të kemi në port dy ankorime nga një linjë e re krocerash. Është një kompani angleze që do të sjellë në port anijen më të madhe në botë me vela “Golden horizon””,– thotë për “DurrësLajm” kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka.

Gjatë verës, në kalatat portuale në ditë të veçanta pritet të ankorohen edhe 2 krocera njëherësh, sidomos në kulmin e sezonit turistik.

“Disa data janë me dy krocera. Kryesisht do të jenë në muajin shtator, pasi dhe kulmi i sezonit turistik është pikërisht në këtë periudhë, 15 ditëshi i fundit i gushtit dhe 15 ditëshi i parë i shtatorit”.

Autoriteti Portual Durrës ka krijuar lehtësirat e nevojshme për ankorimet e jahteve dhe krocerave turistike. Mëngjesin e sotëm në kalatën nr.5 ishte i ankoruar jahti N2H i prodhuar në vitin 2017, në kantieret detare të Italisë fqinje, ndërkohë që përgjatë muajit prill në port janë ankoruar 28 të tillë.

“Presim shumë jahte të vegjël këtë sezon. Në muajin prill kishim 28 jahte me vela dhe me motor që u ankoruan në port. Janë marrë masat për jahtet dhe anijet me vela, të cilat qëndrojnë më shumë sesa 24 orë në port. U janë garantuar të gjitha fasilitetet e nevojshme si furnizimi i rregullt me energji, ujë, internet etj”,- thotë Allka.

Sezoni i krocerave këtë vit në Durrës u hap me “Bukuroshja e Adriatikut”, e cila solli 134 turistë, kryesisht francezë.     

Gjatë këtij sezoni, kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.

M.B.