30 punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhuruan gjak paraditen e sotme për fëmijët talasemikë.

Duke parë kërkesat e mëdha që ka kjo kategori dhe mungesën e gjakut që shpesh konstatohet në bankat e gjakut, efektivët iu përgjigjën pozitivisht nismës së Kryqit të Kuq Durrës.

Drejtori i policisë, Neritan Nallbati theksoi gjatë fjalës së tij se efektivët e rendit u gjenden pranë qytetarëve jo vetëm për t`i garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe për t`ju ardhur në ndihmë kategorive në nevojë.

Koordinatorja e Kryqit të Kuq Durrës, Ermira Guza vlerësoi nismën e efektivëve të policisë dhe theksoi nevojën që edhe punonjësit e institucioneve të tjera të dhurojnë gjak, pasi nevojat e fëmijëve talasemikë janë mjaft të larta.