Në Durrës dhjetëra vajza dhe gra kanë zhvilluar sot një marshim protestë në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Duke e vënë theksin te rëndësia e këtij tubimi, aktivistja Bajana Çeveli drejtuese e shoqatës “Gender Paqe dhe Siguri”, thotë ndër të tjera që Durrësi renditet i dyti në nivel kombëtar, për rastet e dhunës në familje.
Kjo nuk është e vetmja problematikë sipas Çevelit, me të cilat përballen vajzat dhe gratë në qytetin bregdetar dhe më gjerë.

“Ne kemi shumë nevojë që institucionet shtetërore, komuniteti, shoqëria, të gjithë ta balancojmë gruan aty ku duhet të jetë. Si statistika Durrësi është i dyti në Shqipëri përsa i përket numrit të të dhënave dhe numrit të urdhrave të mbrojtjes”, thotë Çeveli.

Vetë pjesëmarrëset në këtë marshim paqësor, që nisi nga qendra e qytetit e vunë theksin te problematikat e përditshmërisë, që mbeten të pazgjidhura ndër vite.

“Të drejtat e grave shqiptare nuk janë të barabarta si në të gjithë botën. Shfrytëzohen nëpër punë e paguhen shumë pak“, shprehen ato ndër të tjera.

Durrësi mbetet një nga qarqet më problematikë për dhunën në familje. Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 75 urdhëra mbrojtje dhe 40 vepra penale për dhunë në familje. Ndërkohë, gjatë vitit 2024 janë lëshuar 471 urdhra mbrojtjeje dhe 286 vepra penale për dhunë në familje.