Anëtari i Gjykatës së Lartë, ka lënë sot detyrën, pasi i kishte mbaruar mandati. Ai gjykonte sëfundmi edhe çështjen e ish-deputetit Tom Doshi, ku ishte relator.
Më herët veprimin e bërë sot nga Andi Çeliku e kanë marrë edhe koleget e tij Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani, ndonëse sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
MBARIMI I MANDATIT
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas konstatimit të plotësimit të mandatit 9 vjeçar me datë 28.07.2017 të gjyqtarëve të sipërpërmendur si anëtarë të kësaj gjykate, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit për secilin prej tyre.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
Gjyqtari Guxim Zenelaj me datë 28.07.2017 dhe gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani me datë 31.07.2017, në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, më të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit si anëtarë të kësaj Gjykate.
Lidhur me dorëzimin e detyrës nga këta gjyqtarë, Kryetari i Gjykates se Lartë, më datë 31.07.2017 njoftoi edhe Presidentin e Republikës.
KUSH ESHTE ANDI ÇELIKU
Ka lindur në Tiranë në 25 qershor 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Në vitin 1991 është diplomuar jurist në Universitetin e Tiranës. Ka shërbyer si hetues në Hetuesinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë nga Tetor 1991- Gusht 1992.
Nga viti 1992 deri më Tetor 1998 është emëruar Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë kësaj periudhe për disa vite ka ushtruar detyrën e zv/kryetarit të kësaj gjykate, si dhe ka qënë pedagog i lëndës së Filozofisë të së Drejtës në Fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Nga periudha Tetor 1998 – Korrik 2008 ka ushtruar profesionin e lirë të avokatit, ka qënë anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe për disa vjet anëtar kryesie i kësaj Dhome.
Me dekretin nr.5792, datë 08 Korrik 2008, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.





