Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë burg pa afat për Marjel Fierzën, ndërsa për të arrestuarin tjetër Genti Nderjakun ka dhënë detyrim paraqitjeje.
Trupi gjykues nën kryesimin e Paulin Cerës dhe Sokol Nishanit u mblodh këtë paradite nën masa të larta sigurie e pranie të shtuar forcash policie, për të dhënë masën e sigurisë ndaj dy të rinjve që u kapën me pistoleta në mjetin tip “Porsche” tri net më parë në Durrës.
Gjykata vendosi vlerësim të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe arrest me burg për Marjel Fierzën. Ndërsa për Genti Nderjakun, i mbrojtur nga avokati Firdeus Ajazi, gjykata dha masën e sigurisë detyrim paraqitjeje pranë oficerit të policisë gjyqësore.
Në një njoftim të detajuar ditën e djeshme, Policia e Durrësit sqaroi se i arrestuari Genti Nderjaku i moshës 34 vjeç, kishte leje arme vetëm për brenda banesës dhe jo jashtë saj.
Ndërsa i arrestuari tjetër, Marjel Fierza ka deklaruar para togave të zeza se pistoletën e kishte gjetur në disa depozita uji.
“E gjeta te disa depozita uji dhe do e dorëzoja në polici por më kapi policia kur isha nisur ta dorëzoja”, mësohet të ketë thënë ai.





