Tre anëtarë të një familjeje, babai dhe dy djemtë e tij, kanë rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni antidrogë në Fier.

Nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “STAN” ku u arrestuan në flagrancë shtetasit:

1.Mitat Stani, 58 vjeç.

2.Përparim Stani, 30 vjeç.

3.Arti Stani, 28 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec.

Pas informacioneve të marra më parë në rrugë operative se në ambientet e banesës së tyre shtetasit Mitat, Përparim dhe Arti Stani posedonin sasi lënde narkotike dhe po përgatiteshin për shitje e trafikim të saj, u shkua dhe u bë kontroll në këtë banesë.

Nga kontrolli i ushtruar në një serë perimesh e mbuluar me plasmas, pranë banesës së tyre, u gjendën të groposura 4 fuçi plastike të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale lënda narkotike me peshë 67.7 kg.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se poseduesit e lëndës narkotike po përgatiteshin që ta trafikonin jashtë vendit me destinacion Italinë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal.