Një shqiptar dhe një çift italian janë arrestuar në Milano për trafikim të lëndëve narkotike. Shqiptari Eduart Nexhipi, nuk ishte një emër i panjohur për zonën, ai konsiderohej si i rrezikshëm raportojnë mediat lokale.

Policia njofton se çifti italian (në fotot poshtë) Gianluca Catania 34 vjeç dhe bashkëshortja e tij Valentina R 27 vjeç janë takuar me shqiptarin pak pasi ky i fundit ishte takuar me një bashkëkombësin e tij, që u pikas nga karabinieret.

Shqiptari ndaloi pranë një vile, u takua me 34-vjeçarin, ndërsa gruaja priste me makinë jashtë dhe më pas të gjithë u larguan duke u shpërndarë, por janë ndjekur nga policia ku edhe janë arrestuar.

Çifti është gjetur me 11.7 kg marijuanë dhe 19.900 euro, ndërsa shqiptari me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro, një pistoletë të vjedhur me më shumë se 50 plumba dhe material për paketimin e dozave të drogës.

Policia njofton se nga kontrolli i banesës së tij, u gjetën 2 kg kokainë të fshehur në një vrimë në muret e dhomës së gjumit të ndarë në dy pako, një armë e vjedhur tre vjet më parë në Brescia, 54 fishekë të kalibrit 9.21 dhe një i kalibrit 7.65, si dhe 9000 euro në para CASH.

Në shtëpi ai gjithashtu kishte pajisje të plotë për dozimin dhe një makinë për numërimin e parave. Shqiptari ka rezultuar me precedentë të shumtë edhe për shpërndarje, një për rrëmbim personi në vitin 1999 dhe një për vrasje.