Shqipëria nuk do të jetë vetëm në datën 6 tetor në Alicante përballë gjigandëve të Spanjës sepse kuqezinjtë e Christian Panuccit do të kenë mbështetjen e tifogrupit më të madh të Kombëtares, Tifozët Kuq e Zi.

Mbështetësit e zjarrtë të këtij tifogrupi bëjnë me dije se kanë nisur punën për organizimin e transfertës iberike për të mbështetur skuadrën në një nga ndeshjet më të forta të grupit eliminator. Ata bëjnë me dije se pas transfertës së Struicës ku gjithashtu ishin të pranishëm, tashmë radhën e ka Spanja dhe objektivi kryesor është organizimi i të gjithë mbështetësve që synojnë të udhëtojnë drejt Alicantes, për t’u bashkuar nën siglën e këtij tifogrupi.

Në këtë mënyrë, Tifozët Kuq e Zi konfirmojnë se do të vazhdojnë ta mbështesin skuadrën në ndeshjet jashtë shtëpisë por jo në takimet që do të zhvillohen në vendin tonë pasi sipas tyre, autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për të plotësuar kërkesat e tyre që lidhen kryesisht me largimin e policisë nga shkallët e stadiumit dhe mosndalimin e banerave mbështetëse ndaj Kombëtares Shqiptare.