Teuta fiton trofeun Pascucci. Në stadiumin Niko Dovana të Durrësit, Djemtë e Detit triumfuan në triangolaren me Besën e Kavajës dhe kampionen e Kosovës Trepcën 89, duke treguar se janë gati për fillimin  e kampionatit me Teutën që në këtë sezon ka objektiva madhorë.

Në turneun miqësor të organizuar për inagarumin e stadiumit të rinkonstruktuar por edhe për prezantimin e skuadrës për sezonin e ri, Teuta bëri një figurë të mirë me trajnerin Gugash Magani që mori sinjale të rëndësishme nga i gjithë grupi i futbollistëve përfshirë këtu edhe blerjet e reja.

Në tre takimet 45 minutëshe, Teuta grumbulloi 4 pikë, 1 më shumë se Besa e Kavajës ndërsa zhgënjeu Trepca 89 që e mbylli turneun me vetëm 1 pikë. Ndeshja e parë, ishte ajo mes skuadres durrsake dhe Trepcës 89 e cila përfundoi me fitoren e thellë 4-1 të Teutës.

Golat për vendasit u shënuan nga Dosti, Osemene që arriti ta dërgonte topin në rrjetë në 2 raste dhe Lena nga pika e bardhë e penalltisë. Për kampionët e Kosovës golin e vetëm e realizoi sulmuesi nigerian Oto John. Në ndeshjen e dytë përballë Trepcës 89 ishte Besa e Kavajës me skuadrën shqiptare që triumfoi 3-2 pas goditjes së penalltive sepse 45 minutat lojë përfunduan në barazim pa gola.

Në këtë mënyrë sfida e fundit mes Teutës dhe Besës u shndërrua në duel direkt për fitimin e trofeut por duke qenë se durrsakët kishin një pikë më shumë pasi kishin fituar në kohë të rregullt ndaj Trepcës 89, Teutës i mjaftoi një barazim pa gola për të bërë të vetin trofeun Pascucci.