Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë ku ka folur për ndeshjen kualifikuese të së shtunës ndaj Lihtenshtejnit, por edhe “përjashtimin” e Sokol Cikalleshit nga grumbullimi prej trajnerit Panucci. Ai ka nënvizuar ndër të tjera: ”Gjithmonë kam qenë pranë ekipit, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme, prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të angazhuar, për të dhënë një mesazh për rëndësinë e madhe që ka kjo ndeshje. Lojtarëve u kam thënë se duhet të mendojmë vetëm për Lihtenshtejnin dhe më pas për gjëra të tjera. Nuk ka kundërshtarë të dobët sot në futboll. Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe mund të arrijmë rezultat pozitiv vetëm nëse japim më shumë se 100 %.

Më pas të mendojmë për Maqedoninë. Kam parë njëlloj motivimi dhe energjie më shumë nga Panucci se De Biazi. Me ulërima nuk janë keq të dy, por te fitorja të çon menaxhimi me mençuri. Të gjithë lojtarët e rinj kam dëshirë t’i shikoj në fushë. Eshtë mirë që u është dhënë kjo mundësi. Pezullimi i Cikalleshit? Ai është një nga lojtarët që ka dhënë shumë për këtë skuadër dhe shumë i disiplinuar. Kam komunikuar me të dhe me trajnerin Panucci dhe i kam thënë se këtë radhë ke gabuar. Cikalleshi duhet të respektojë vendimin e trajnerit, por i kam thënë se me një gol kundër Spanjës mund t’i shlyejë të gjitha”.