Në fillim ishin vetëm tifozët që kërkonin largimin e trajneri të Arsenal, por tani duket se po flasin edhe futbollistët. Sezoni sapo ka nisur dhe pavarësisht nga suksesi në Superkupën e Anglisë kundër Chelsea, kampion në fuqi, Arsene Wenger është sërish në qendër të kritikave. Pas tre javëve të para, Arsenal është gjashtë pikë larg nga Manchester United kryesues dhe te kjo kanë ndikuar dy humbjet radhazi në transfertë, kundër Stoke City dhe Liverpool.
Mbi të gjitha humbja që peshon më shumë është ajo që ka ndodhur në “Anfield Road”, 4-0. Kjo disfatë nuk është pranuar as nga vetë lojtarët e klubit londinez, që sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, në dhomat e zhveshjes së stadiumit të Liverpool, kanë ngritur zërin kundër trajnerit, i akuzuar se nuk e ndryshon kurrë formacionin, as në momentet e vështirësisë. Trajneri francez, sipas gazetës britanike, paska qëndruar në heshtje. Pas rikthimit nga pushimet për shkak të kombëtareve, do të jetë ndeshja kundër Bournemouth, që ende nuk ka marrë asnjë pikë. Fitorja në “Emirates Stadium” është e detyrueshme për të mos sjellë “krizën” përfundimtare te Arsenal.





