Trajneri Kristian Panucci ka filluar që sot punën për të ndërtuar formacionin me të cilin do të përballojë ndeshjen e fundjavës me Lihtenshtejnin.Gjatë seancës së sotme stërvitore ai ka shpjeguar fillimisht disa lëvizje taktike duke marrë për baze vetëm mënyrën se si duhej të sillej reparti i mbrojtjes.Ky repart përbëhej nga Hysaj në të djathtë, Mavraj e Gjimshiti ne qendër si dhe Memolla në të majtë. Mbrojtësi i Hajdukut është preferuar para kapitenit Agolli në këto ushtrime e më pas edhe në një lojë 9 kundër 9.Pastaj, në një ndeshje 9 kundër 9, ai ndau lojtarët në dy skuadra.

Njëri grup përbëhej nga Berisha, Hysaj, Veseli, Mavraj, Memolla, Memushaj, Roshi, Llullaku, Latifi.Kurse grupi tjetër përbëhej nga Strakosha, Balliu, Gjimshiti, Agolli, Abrashi, Lila, Ahmedi, Grezda, Sadiku. Në këtë ndeshje nuk u aktivizuan Ajeti, Basha e Kukeli të cilët punuan me përgatitësin atletik.Ndonëse ka përzier kartat për pjesën më të madhe të skuadrës, që tani kuptohet se Panuçi po mundohet të shohë reagimin e Memollës në krah të titullarëve të zakonshëm të prapavijës. Ndaj nuk është aspak çudi që ai të zbresë që nga minuta e parë në fushë kundër Lihtenshtejnit.