Një aksident automobilistik në autostradën Fier-Lushnje i ka marrë jetën dy personave që udhëtonin në të njëjtën makinë.

Sipas informacioneve nga policia, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 05:40, kur një mjet “Renault”, me targë AA 468 PY doli nga rruga duke goditur trafikndarësen dhe më pas ka rënë në kanal. Viktimat janë F.N. 61 dhe P.Z. 54 vjeç, të dy me banim në Tiranë.

“Me gjithë vështirësitë e vendit dhe dëmtimit të rëndë të mjetit, shërbimet e policisë, ato të zjarrfikëses dhe urgjenca e spitalit kanë bërë të mundur nxjerjen nga makina të të dy shtetasve të aksidentuar. Paraprakisht dyshohet se  shofer ishte shtetasi F.N., 61 vjeç, banues në Tiranë, i cili u dërgua në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në orën 07:25 ndërroi jetë. Ndërsa pasagjer ishte shtetasi P.Z., 54 vjeç, banues në lagjen “Myslym Shyri”, Tiranë, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje”, sqaron policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.