Agron Duka ka humbur mandatin e tij të deputetit pasi ka pranuar të ishte i pesti në listën e PD-së.

Në një intervistë për “News 24”, përballë gazetares Klodjana Haxhiaj, Duka, si një nga politikanët me reputacion të mirë në të gjithë Durrësin, thotë se faji i tij ishte që pranoi të kandidonte nën siglën e PD-së, duke u pozicionuar i 5-ti në listë.

Duka thotë se nuk është i zhgënjyer, por po të kishte kandiduar nën siglën e PAA-së, ndoshat rezultati do të ishte pozitiv dhe ai mund të kishte siguruar mandatin e tij të tretë për legjislaturën 2017-2021.

Duka shprehet se PD ishte inekzistente në këtë fushatë.

“PD i kishte strukturat inekzistente. Kur fillova punën pata shumë vështirësi të takoj me njerëz tek e tek, pastaj nisa t'i grupoj. Mendova se mund të fitonim 5-6 mandate. Fakti tregoi se nuk ngjizet për një muaj, kërkon një punë të mjaftueshme. Në Shijak ishte dobët, në Spitallë ishte skandal. Ka pasur shumë shit-blerje votash në mënyrë masive. PD shkonte me një shishe uji në fushatë. Unë bëra një fushatë shumë më të spikatur, dinjitoze për atë zonë që më caktuan. Këto janë faktorët kryesorë”.

Ai gjithashtu ka treguar se ka komunikuar në telefon me kreun e PD-së Lulzim Basha.

“Kam folur në telefon me Bashën. Më pyeti nëse ka ndonjë shans që PD të merrte mandatin e pestë në Durrës. I thashë që jo. Natyrisht që ishte i mërzitur. Dhe mua më vjen keq edhe për Bashën”.