Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në familjet durrsake. Konsumohet brenda 4 mureve të shtëpisë, por shtimi i denoncimeve është dëshmi se gjithnjë e më shumë viktimat e saj zgjedhin ta denoncojnë atë, pavarësisht se ushtrohet nga njerëz mjaft të afërt.

Në 24 orët e fundit, në Durrës e Shijak, janë regjistruar 3 raste dhune, ku më flagranti duket se është dhunimi i një të moshuareje 76-vjeçare nga nusja e djalit.

Policia e Durrësit ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shtetasen S.B, vjeç 76, pasi dyshohet se nusja e djalit, shtetasja E.B, vjeç 42, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.

Ndërsa, në dy rastet e tjera, të dhunuara kanë mbetur dy femra, të cilat janë rrahur nga burri dhe partneri.

Policia njofton se shtetasja M.LL, vjeç 48, banuese në Durrës, është dhunuar nga bashkëshorti, shtetasi F.LL, vjeç 48. Në Shijak, ndërkohë, shtetasja A.A, vjeç 26, është dhunuar nga bashkëjetuesi, F.M, vjeç 31.

Për të dyja femrat e dhunuara, policia e Durrësit ka plotësuar kërkesë padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm.