Një 27-vjeçar shqiptar, është arrestuar pasditen e djeshme në Dalmine të Italisë, për shitje droge.
Sipas të dhënave të para bëhet e ditur se shqiptari e fshihte drogën në një fushë në fshat, pasi e dashura e tij e kishte ndaluar që ta mbante drogën në banesën ku ata jetonin.
Karabinierët me qenin e policisë arritën të gjenin rastësisht drogën e fshehur poshtë një thesi, dhe më pas kishin pritur për personin që e posedonte.
Në momentin e ndalimit shqiptari kishte 5 pako me kokainë me vete. Dhe 5 të tjera iu gjetën në vendin ku i mbante fshehur. 27-vjeçari u arrestua dhe tashmë ndodhet në dhomën e paraburgimit në pritje të dënimit, shkruan Bergamo Sera.





